Një defekt i madh në sistemin Amazon Web Services (AWS) ka shkaktuar ndërprerje masive në shumë nga faqet dhe aplikacionet më të përdorura në botë, përfshirë Snapchat, Duolingo, Zoom, Coinbase, Venmo, Roblox dhe Fortnite. Platforma Downdetector raportoi mbi 6.5 milionë njoftime problemesh, duke ndikuar më shumë se 1,000 kompani në mbarë botën.

Amazon njoftoi se “problemi bazë është zgjidhur”, por disa shërbime vijojnë të kenë “gabime të konsiderueshme”. Kompania shtoi se procesi i rikthimit në normalitet do të kërkojë kohë.

Ndërsa pjesa më e madhe e faqeve janë rikthyer online, përdoruesit në SHBA vijojnë të raportojnë ndërprerje në aplikacione financiare dhe media, si Venmo, Robinhood, Wall Street Journal dhe New York Times.

Ekspertët e teknologjisë e kanë quajtur ngjarjen një shembull të brishtësisë së internetit global, pasi një defekt i vetëm në një platformë qendrore si AWS mund të paralizojë miliona përdorues. Profesori i informatikës në Universitetin Cornell, Ken Birman, thekson se shumë kompani “nuk ndërtojnë sisteme mbrojtëse të mjaftueshme” dhe se mungesa e kopjeve rezervë për aplikacionet kritike rrit rrezikun e humbjeve të mëdha.

Ndërkohë, ekspertë të sigurisë kibernetike paralajmërojnë se periudha të tilla ndërprerjesh mund të shfrytëzohen nga skemat mashtruese (phishing) që imitojnë faqet e vërteta për të vjedhur të dhëna personale.

Amazon dhe platformat e tjera të prekura vijojnë punën për rikthimin e plotë të shërbimeve në orët në vijim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu