
Kosova po përballet me një krizë institucionale për zgjedhjen e presidentit, ndërsa Kuvendi nuk ka arritur të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të vijuar procedurën parlamentare.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit.
Sipas saj, në kërkesën drejtuar Kushtetueses është kërkuar edhe vendosja e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues, që lidhet me zgjedhjen e presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.
“Përmes kësaj kërkese kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, ka shkruar Haxhiu.
Ndërkohë, seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë.
Sipas rregullave kushtetuese, në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota të deputetëve.
Më herët gjatë mbrëmjes, Kuvendi nuk arriti të miratojë as amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashikonin që presidenti i Kosovës të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli dhe jo nga Kuvendi.
Në këtë situatë, ekspertët paralajmërojnë se nëse brenda 60 ditëve nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Kosova ka hyrë në një fazë vendimtare politike, pasi mandatit pesëvjeçar të presidentes Vjosa Osmani i skadon më 4 prill, ndërsa deri tani partitë politike nuk kanë arritur konsensus për një kandidat.



