Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hedhur akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ai ka thënë se vendimi i së premtes për pezullimin e procedurave për formimin e qeverisë së re ka bllokuar punën e 120 deputetëve për 25 ditë. Por ish-partitë opozitare kanë thënë se është vetë Kurti ai që po i mban të bllokuara institucionet
Akuza të shumta në drejtim të Gjykatës Kushtetuese kanë bërë të dielën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti ka thënë se “gjykata më e lartë në vend po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”.

Akuzat janë bërë pas vendimit të së premtes të Kushtetueses që ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa është në fuqi deri në fund të shtatorit.

Kurti ka thënë se me këtë vendim gjykata i ka lënë 120 deputetë të vegjetojnë për 25 ditë.

Ka shtuar se faj për vonesën në formimin e institucioneve ka edhe Kushtetuesja, me dinamikën e ngadalshme të punës, sipas tij.

“Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018 kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019. Pastaj fitojmë zgjedhjet në herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë edhe sivjet për herë të tretë, por ja që ata ngelën të njëjtit aty në gjykatë, thua se është viti 2018”, ka thënë Kurti.

Me Gjykatën Kushtetuese është marrë edhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai ka folur për një vendim që mund ta marrë gjykata që, sipas tij, do të ishte tradhti kombëtare.

“Gjykata nuk ka çka të interpretojë përtej Kushtetutës, ky është akti më i lartë i Republikës, ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore do të thosha unë, një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ish-partitë opozitare kanë reaguar pas sulmit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kryeministri në detyrë kur përballet me sfida apo dështime gjithmonë tenton të gjejë fajtorë të tjerë.

“Ai po akuzon Gjykatën Kushtetuese dhe partitë opozitare për vonesat në konstituimin e Kuvendit, duke injoruar shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai dhe partia e tij. E vërteta për bllokimin e Parlamentit dhe institucioneve është e qartë: përgjegjësia ka një emër, Albin Kurti”, ka thënë Deliu-Kodra.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kurti nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që, sipas tij, i ka bërë ai vetë dhe partia e tij, por zgjedh të mashtrojë duke e fajësuar Gjykatën Kushtetuese

“Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur ‘hajni bërtet, kapeni hajnin’! Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës e jo formacionet imagjinare të tij”, ka shkruar Haradinaj.

Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët.

Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar.

Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta./Koha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu