Bujqësia në juglindje të vendit po përballet me një krizë të thellë, e cila ka çuar fermerët drejt dëshpërimit dhe falimentimit. Pavarësisht investimeve të mëdha që ata bëjnë çdo vit, mungesa e tregut për produktet e tyre dhe konkurrenca e fortë nga importet kanë bërë që shumë prej tyre të mbeten pa asnjë fitim.

Pëllumb Kazaferi, fermer me 33 vite përvojë në bujqësi, shpreh për CNA zhgënjimin e tij të madh, duke treguar se këtë vit nuk ka mundur të shesë prodhimin e tij. Ai dhe familja e tij kanë investuar miliona lekë në mbjelljen dhe mirëmbajtjen e të mbjellave, por mungesa e blerësve i ka detyruar të hedhin qindra kuintalë qepë në lumë.

 

“Janë hedhur 25 milion lek, nuk kemi marrë asgjë. Nuk e llogaritim fare punën tonë , se po ta llogaritim vete 50 milion. Janë 700 kuintal qepë , 300- 400 kuintal i kemi lënë në arë dhe po i hedhim tani në lumë. Ne kemi 6 muaj që po i mbajmë këtu, nuk na pyeti asnjë tregtar. Na kanë patur vetëm për të votuar, gjithë jetën. Çfarë bëhet kështu? I kam mbajtur fëmijët me zor, se ata nuk donin të rrinin. Fëmijët i kemi për vete jo që të ikin e të shërbejnë nëpër botë. Çfarë të themi? Asnjëlloj ndihme! Punuan fëmijët , i hodhëm lekët të gjitha, tani kemi hyrë në borxh. Prap erdhi koha për të mbjellë, kemi mbjellë.”

Mungesa e mbështetjes nga shteti është një tjetër faktor që ka rënduar situatën. Fermeri tregon se dikur kishte një ndihmë ekonomike, por tani edhe ajo i është ndërprerë, duke e lënë pa asnjë përkrahje. Ndërsa borxhet rriten dhe situata bëhet gjithnjë e më e vështirë, ai dhe shumë fermerë të tjerë diskutojnë çdo ditë largimin nga vendi.

“Jemi të falimentuar fare, s’kam as lopë as dhen, një ndihmë ekonomike që kisha ma prenë. Shteti nuk na ndihmon dot. Ketu janë të tëtë për tu ndihmuar por ne e pësuam jashtëzakonisht keq së i hodhëm të tëra. Ngarkojmë zetorin dhe i hedhim. Këta na kanë vënë në një situatë jashtëzakonisht të keqe. Nuk dimë si të bëjmë! Ne kemi hequr dorë nga shteti seçse ai na ka lënë, kemi hequr dorë edhe nga politika. Po mos me dhe, ik mos më hajde më fare.”


Në këtë realitet të vështirë, zhgënjimi ndaj institucioneve është i madh. Sot, ai dhe shumë fermerë të tjerë ndihen të braktisur. Për vite me radhë, ai ka parë sesi çmimi i produkteve bujqësore bie, ndërsa tregu mbushet me mallra të importuara nga Serbia, Maqedonia dhe Kosova, të cilat fermerët shqiptarë nuk arrijnë t’i konkurrojnë.

“Kam 33 vite si fermer. Më keq se sivjet nuk kemi parë asnjëherë, ne i kemi shitur me 170- 200 lek të vjetra para 10 viteve kurse sivjet nuk erdhi asnjë tregtar. Ka hyrë mall nga jashtë, nuk e konkurojmë dot ne serbin. E bëjme dot ne me Serbinë, Maqedoninë, Kosovën? Vjet morëm njady lek dhe e bëmë bujqësinë si puna e kumarit. Morëm 10 milion lek vjet hodhëm e 10 milion të tjera sivjet, i lamë të tëra. Mbahen kështu fëmijët? Debate çdo natë në familje se diskurojmë për të ikur nga ky vend.”

Nëse nuk merren masa të menjëhershme për të garantuar një treg të qëndrueshëm dhe për të mbështetur prodhimin vendas, bujqësia shqiptare rrezikon të zbrazet nga fermerët, ndërsa fshatrat e juglindjes do të boshatisen gjithnjë e më shumë./CNA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu