Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze ka finalizuar një operacion kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike.

Kreu i SPAK, Altin Dumani në një konferencë të përbashkët për shtyp për autoritetet finlandeze ka dhënë detaje për operacionin. Dumani bëri me dije se janë goditur disa grupe kriminale përgjegjës për trafikimin e sasive të mëdha të drogave të ndryshme.

Dumani: Krimi shqiptar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën. Kemi goditur disa grupe kriminale të cilët janë përgjegjës për trafikimin e drogave të ndryshme, si droga sintetike, kokainë, marijuanë, etj,. Ky hetim është rezultat i një pune të gjatë.

Komisari për krimin në Finlandë, i pranishëm në konferencë shprehu falenderimin për të gjithë personat që morën pjesë në këtë operacion të përbashkët.

“Dua të komplimentoj SPAK për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë dy viteve të fundit. Dy vite më parë nisi një hetim në shkallë të gjerë në Finlandë i cili u konkludua me arrestimin e 55 shtetasve. Kemi sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike e cila u trafikua nga Spanja dhe Holanda. Nga sasia totale, rreth 170 kg kanë qenë amfitaminë, 10 kg kokainë, 100 kg marijuanë, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë disa tableta lëndësh narkotike. Nga hetimi në Finlandë rezultoi që drejtuesi kryesor i këtij grupi ishin shtetas që vepronin nga Shqipëria”, tha ai.

Prokurori i Posaçëm, Alfred Shehu gjatë konferencës së përbashkët me autoritetet finlandeze ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e përbashkët të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Prokurori bëri me dije se hetimet kanë nisur mbi bazën e informacioneve të ardhura nga autoritetet finlandeze dhe hetimet janë mbajtur sekret. Gjithahstu bëri me dije se në vendin tonë janë lëshuar 11 masa sigurie dhe deri tani janë ekzekutuar 9 prej tyre, ndërsa 2 persona janë në kërkim. Gjatë aksionit janë sekuestruar 8 automjete dhe telefona e dokumente, të cilat do t’i shërbejnë hetimit.

Shehu: Hetimi ka filluar mbi bazën e informacioneve të ardhura nga autoritetet finlandeze. Hetimi deri më sot ka qenë i fshehtë, jo i hapur. Pas krijimit të skuadrës së përbashkët hetimore, hetuesit e BKH dhe oficerët e policisë gjyqësore së Policisë së Shtetit, Drjetorisë së Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë së forcave operacionale kanë vijuar veprimet hetimore. Janë përdorur metoda speciale të hetimit, duke filluar nga përgjimet. Veprimtaria e personave të implikuar në këtë veprimtari vijonte në Finlandë edhe pas krijimit të grupit hetimor. Janë shkëmbyer informacione në vazhdimësi midis nesh dhe autoriteteve finlandeze gjë që ka sjellë zbulimin dhe kapjen e sasive të lëndëve narkotike edhe në vitin 2024. Ora dhe data e aksionit janë biseduar gjerë e gjatë dhe u caktua që aksioni të kryhej në orët e para të mëngjesit të sotëm. Në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të policisë finlandeze. U bë i mundur zbatimi i masës së sigurisë për 9 persona. Po vijon puna për të bërë të mundur arrestimin edhe të 2 pesonave të tjerë. Gjatë zbatimit të masave të sigurimit u bë i mundur sekuestrimi i 8 automjeteve, telefonave dhe shumë dokumente të cilat konsiderohen me vlerë për hetimin pasi janë në gjuhën finlandeze dhe ka të dhëna për aktivitetin kriminal .

Prokurori tha se bashkëpunimi me autoritetet finlandeze do të vijojë. Gjithashtu bëri me dije se do të vijojë hetimi pasuror për të gjithë personat e identifikuar Kreu i SPAk, Altin Dumani sqaroi dije se Gjykata ka lëshuar masa për 11 persona, të gjithë shqiptarë. Nga këta 10 ndodheshin në Shqipëri dhe njëri jashtë. Ndërsa pjesëtarët e grupit kriminal jashtë vendit, nuk ishin vetëm shqiptarë por edhe të huaj./vizionplus.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu