Kreu i Spak, Altin Dumani ishte sot si mbreti që zbret në “arenën e gladiatorëve” . Mes atyre që ndoshta po i heton apo do t’i hetojë foli gjatë dhe dha përgjigje në kufijtë e asaj që ia lejon sekreti i profesionit. Diskutimet më të gjata i pati për hallet e veta, pra të Prokurorië së Posaçme dhe shqetësimet e drejtësisë shqiptare.
E re ishte se zbuloi rolin e SPAK në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
“Lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024. Tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor,. Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre. Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor. Do bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2024 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025”- tha Dumani këtë të hënë në raportin e tij në kuvend.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK u përball me rreth 100 pyetje nga deputetët gjatë raportimit vjetor në seancën plenare dhe shumica ishin nga deputetë opozitarë që në sallë dhe në orët që pasuan e akuzojnë për ndikim politik në punën e tij.
Në pyetjet e tyre deputetë të opozitës aluduan për ndikim politik ndaj punës së SPAK duke i kërkuar Dumanit arsye pse nuk hetohen njerëz me pushtet, si kryeministri Edi Rama e kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj për aferat e mëdha korruptive, si ajo inceneratorëve.
Në shumicën e pyetjeve për çështje konkrete në hetim kreu i SPAK citoi sekretin hetimor.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, aludoi se kryeministri kishte ndërhyrë për çështjen “Xibraka”, aludim që u hodh poshtë nga kreu i SPAK.
“Marrëdhëniet e mia me kryeministrin dhe gjithë Kuvendin janë vetëm institucionale e proceduriale. Nuk marr e nuk përcjell asnjë mesazh”, u përgjigj Dumani duke e mbajtur këtë refren gjatë gjithë fjalës së tij.
Altin Dumani nga opozita dhe mediat pranë saj po akuzohet se sot doli hapur se është me Ramën dhe se mbeti pa fjalë kur u pyet për Sali Berishën.
I pyetur se përse zbaton standarde, sa i përket masave të sigurisë të zotit Berisha i arrestuar pa akuzë dhe ministrat nën akuzë e pa masë, Dumani zgjodhi sërish të shmanget.
Edhe pse ishte institucioni që ai drejton që kërkoi masë sigurie ende pa marrë lejen nga Kuvendi në shkelje të Kushtetutës, Dumani u shmang me argumentin se nuk mundet të komentojë vendimet e gjykatës.