
Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se janë evidentuar 192 raste të dyshuara për krime zgjedhore. Sipas tij, janë regjistruar 43 procedime penale, të cilat kanë kaluar në fazën e hetimit aktiv, ndërsa për 43 raste të tjera është vendosur mosfillimi i procedimit penal.
Po ashtu, 40 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë pranë prokurorive të rretheve, ndërsa 17 të tjera janë bashkuar me procedime ekzistuese.
“Hetimet për një pjesë të konsiderueshme të procedimeve janë aktive,” deklaroi Dumani, duke bërë të ditur se janë ushtruar kontrolle në banesa, zyra personale, dhe janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejimin e kontrollit të dokumenteve dhe materialeve me interes hetimor.
SPAK ka sekuestruar prova e dokumente që shërbejnë në zbardhjen e veprave penale të dyshuara. Dumani theksoi se shumë prej kallëzimeve të depozituara nga partitë politike kanë qenë “të paplota dhe shpesh të pasakta”.
Sipas kreut të Prokurorisë së Posaçme, janë ankimuar tre vendime për mosfillim hetimi, por Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimet e SPAK, duke mos i pranuar ankesat.
“192 raste të dyshuara për krime zgjedhore. 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale, kanë kaluar në fazën e hetimit, për 43 është vendosur mosfillimi i hetimit, 40 materiale janë dërguar për kompetencë pranë prokurorive të rretheve, 17 materiale janë bashkuar me materiale të tjera ekzistuese dhe një pjesë është në proces verifikimi.
Hetimet për shumë nga procedimet janë aktive, janë ushtruar disa kontrolle banese, zyre personale, janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli të materialeve të ndryshme dhe personave të ndryshëm. Janë sekuestruar prova, dokumente që i shërbejnë procesit të hetimit. Duke iu referuar materialeve të partive që kanë mbërritur në SPAK, kallëzimet e tyre kanë qene të paplota dhe shpesh jo të sakta, edhe pse kanalet tona për raportime kanë qenë të shumta. SPAK ka bërë verifikimet përkatëse për çdo rast, për çdo kallëzim SPAK ka kryer të gjitha verifikimet, duke konkluduar në vendimmarrje konkrete. Janë ankimuar 3 mosfillime hetimesh, por GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e SPAK për mosfillim të procedimit penal”, tha Dumani.