Më 17 gusht 1949, pas një hetimi vetëm një javor, një gjykatë ushtarake dënoi me vdekje 14 burra të pafajshëm, mbi “indicie, presumime dhe prova indirekte”. 10 u pushkatuan dhe 4 u varën në litar, më i riu 24 dhe më i moshuari 67 vjeç, përballë qindra banorëve të mbledhur me detyrim.

Masakra e Qafës së Valmirit u shënua si një prej krimeve më të rënda të diktaturës komuniste. Pas saj, qindra familje u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës, ku shumë fëmijë nuk mbijetuan dot.

Vrasja në pritë e Bardhok Bibës, oficer Sigurimi dhe njëherësh “Hero i Popullit”, u përdor si pretekst për dënime kolektive. Mirdita u godit rëndë: me dhjetëra familje u ngarkuan në kamionë dhe u shpërngulën me forcë nga shtëpitë e tyre shekullore drejt kampit me tela me gjemba.

 

Të dënuarit:

Në 17 gusht 1949 u varën në litar:

Preng Dedë Kola (Orosh)

Pjetër Dedë Vila dhe Pjetër Paloka (Kaçinar)

Dodë Mark Biba (Kthella e Epërme)

 

U pushkatuan:

Nikollë Bardhok Bajraktari (Rrëshen)

Llesh Gjon Mëlyshi (Malaj)

Nikollë Llesh Bajraktari (Orosh)

Ndreçë Mark Ndoj dhe Frrok Mata (Kaçinar)

Bardhok Dodë Gjini (Prosek)

Gjok Gjin Kaçi (Bukmirë)

Gjergj Beleshi (Kthella e Epërme)

Ndoc Gjet Çupi (Blinisht)

Preng Shkurt Nikolli (Orosh)

Edhe sot, 14 të ekzekutuarit martirë prehen në një varr të përbashkët, ashtu si më 17 gushtin e vitit 1949, kur jeta e tyre u ndërpre me dhunë. Familjarët, të organizuar në shoqatën që mban emrin e tyre, i përkujtojnë çdo vit si dëshmi të një krimi shtetëror që nuk duhet harruar.

Institucionet qendrore e vendore u detyrohen familjeve trajtimin me dinjitet të martirëve, duke u krijuar mundësinë e një vendprehjeje sipas zgjedhjes së tyre, individuale. /TemA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu