
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bulqizë, ku një konflikt brenda familjes ka përfunduar me plagosjen e një 29-vjeçari dhe arrestimin e babait të tij. Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, autori i dyshuar është shtetasi B.N., 58 vjeç, banues në Bulqizë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të datës 29 janar 2026, në fshatin Ostren, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Dyshohet se brenda banesës, 58-vjeçari ka marrë një mjet prerës (thikë) dhe ka plagosur djalin e tij, shtetasin K.N., 29 vjeç.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, arrestuar autorin e dyshuar dhe sekuestruar armën e ftohtë të përdorur në ngjarje. I plagosuri ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme ligjore.






