
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të enjte, më 28 gusht, krijimin e një institucioni të ri që do të ngarkohet me detyrën për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve.
Këtë lajm, Rama e bëri me dije gjatë një aktiviteti të zhvilluar në kuadër të Reformës për Trajtimin e Integruar të Mbetjeve, deklaroi se një plan masash ligjore dhe investimesh është thelbësor për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian.
Ai theksoi se menaxhimi i mbetjeve nuk është vetëm një sfidë mjedisore, por një domosdoshmëri në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim në të gjitha nivelet dhe në të gjithë territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo si nënpunës të këtij shteti, të lidhur me të gjitha çështjet e mjedisit, të vetëdijësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE.
E them me keqardhje që, ndërkohë që kemi vënë re me kënaqësi një përmirësim të mëtejshëm të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re asnjë lloj vetëdijësimi nga ana e qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit, dhe nuk vëmë re përmirësime domethënëse as në trajtimin e mbetjeve.
Në këto kushte, duke marrë parasysh të gjitha shkallët e ngjitura, vonesat përkatëse, duke parë edhe vendet e tjera, ne do të çojmë përpara një paketë re re reformash dhe masash të cilat ministrja do t’i shpjegojë më në detaje, por për të cilat më duhet të them më së pari është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një agjenci, institucion, ndërmarrje e re e cila do të jetë në dispozicion të gjithë republikës, patjetër të pushtetit vendor, të qytetarëve dhe këtij misioni për anëtarësimin në BE, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve, që nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar.”, tha Rama./klan