
Kryeprokurori i Posaçëm, Klodian Braho, ka firmosur strukturën e re drejtuese të Prokurorisë së Posaçme, duke përcaktuar rolet e reja për disa nga emrat më të njohur të SPAK-ut. Ndryshimet prekin sektorët kyç të institucionit, përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare, hetimin e korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, prokurori Altin Dumani është emëruar shef i seksionit për marrëdhëniet me jashtë. Ky sektor ka një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe koordinimin me autoritetet e huaja në hetimet komplekse.
Ndërkohë, prokurorja Dorina Bejko merr drejtimin e seksionit për hetimin e korrupsionit. Bejko më herët ka drejtuar sektorin e marrëdhënieve me jashtë, ku kishte zëvendësuar ish-kreun e SPAK, Arben Krajën, i cili e mbajti këtë post për afro tre vite pas përfundimit të mandatit si kryeprokuror i posaçëm.
Seksioni kundër krimit të organizuar do të drejtohet nga prokurori Vladimir Mara, i njohur për përvojën e tij në drejtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me antimafian italiane. Mara zëvendëson në këtë detyrë prokurorin Adnand Xholi, i cili do të vijojë punën si prokuror në të njëjtin sektor.
Më herët, drejtimi i sektorit të krimit të organizuar i ishte besuar Xholit, ndërsa Arben Kraja ishte emëruar në sektorin e marrëdhënieve me jashtë nga pasuesi i tij Altin Dumani, por u rikthye më pas si prokuror i thjeshtë pas konflikteve të brendshme lidhur me drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ndryshimet e firmosura nga Braho shihen si një riorganizim strategjik i SPAK-ut, në një moment kyç për hetimet e nivelit të lartë, korrupsionin dhe luftën kundër grupeve kriminale, me synim rritjen e eficiencës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.







