Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, deklaroi se sistemi gjyqësor në vend po përballet prej kohësh me një trysni antikushtetuese, e cila cenon ushtrimin e detyrës në mënyrë të pavarur.

Ai denoncoi gjithashtu fyerjet ndaj magjistratëve, duke theksuar se ato janë kthyer në një element të përsëritur të kritikave ndaj pushtetit gjyqësor.

Sipas Metanit, vetëpërmbajtja e magjistratëve nuk duhet të interpretohet si dobësi, por si një akt respekti ndaj lirisë së shprehjes dhe shtetit të së drejtës.

Metani: U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna te kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes së pushteteve dhe i shtetit të së drejtës, nuk është vetëm retorikë.

Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera. Deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikërisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit.

Duke mos harruar në asnjë moment të ditës sonë të punës kushtet në të cilat punojnë magjistratët, ngarkesën e madhe të çështjeve gjyqësore, numrin e pamjaftueshëm të magjistratëve në sistem, rritjen e përdoruesve të sistemit gjyqësor, pritshmëritë e drejta dhe të padrejta nga sistemi gjyqësor, përsëri mendoj se besimi i publikut te gjyqësori është vlera më e çmuar e drejtësisë, por edhe mbrojtja më e mirë e tij. /vizionplus

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu