Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u prit nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë një konference të përbashkët, Adams vlerësoi lartë transformimin e Tiranës dhe të Shqipërisë gjatë 25 viteve të fundit, duke e cilësuar vendin si një histori suksesi në zhvillimin urban dhe teknologjik.

“Faleminderit kryeministër për mikpritjen dhe miqësinë tuaj. Kur mendon për këtë qytet 25 vjet më parë, kishte më pak se 100 drita rrugësh. Sot, Shqipëria ka kaluar nga mungesa e ndriçimit në rrugë në një epokë të inteligjencës artificiale, me një ministre të posaçme për këtë fushë. Kjo tregon se vendi po ecën në drejtimin e duhur,” – tha Adams.

Kreu i Bashkisë së Nju Jorkut theksoi rëndësinë e përqafimit të inovacionit dhe teknologjisë si bazë për zhvillimin e qyteteve moderne dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve.

Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama e cilësoi Eric Adams si një mik të kahershëm të Shqipërisë dhe komunitetit shqiptar në SHBA, duke shtuar se vizita e tij ka në fokus bashkëpunimin në turizëm dhe zhvillim urban.

“Pas një premtimi të përsëritur disa herë, kryebashkiaku i Nju Jorkut më në fund erdhi në Shqipëri për të parë nga afër një vend që ka dëgjuar shumë nga miqtë e tij shqiptarë dhe nga unë. Po bëjmë përpjekje për të vendosur linjën direkte të fluturimit Tiranë–New York, një hap që do të forcojë lidhjet mes dy vendeve,” – u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shtoi me humor se Adams ka “shumë dëshirë të takohet me Diellën”, vajzën e tij, duke e quajtur një moment miqësor që reflekton lidhjet e ngrohta mes dy vendeve.

Vizita e Eric Adams vjen në një kohë kur Shqipëria po synon të zgjerojë bashkëpunimin me qytete të mëdha të SHBA-së në fusha si teknologjia, turizmi dhe energjia e pastër, duke e forcuar rolin e saj në hartën ndërkombëtare të zhvillimit urban.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu