
Vartësi i Belinda Ballukut qëndroi rreth 30 minuta në Prokurorinë e Posaçme, por në dalje nuk pranoi të flasë, duke thënë se “nuk kemi bërë të bërë asnjë deklaratë”.
Ndërkohë avokati i tij mbrojtës, konfirmoi se Gjyli është marrë i pandehur për tunelin e Llogarasë.
Edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u mor e pandehur po për këtë tender, të premten e 31 tetorit.
Numrit dy të qeverisë iu komunikua akuza e shkeljes së barazisë në tendera.
Akuzat per Ballukun
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH./Panorama





