Zjarret në Kretë po përhapen në mënyrë të pakontrollueshme ndërsa janë kryer evakuime masive nga hotelet dhe shtëpitë e pushimit. Është dita e dytë e zjarreve në ishullin grek, ku flakët po përhapen në komunën e Ierapetrës në juglindje të ishullit, në provincën e Lasithit.

Sipas zjarrfikësve, zjarri i madh, i cili po ‘lëviz’ në varësi të drejtimit të erërave të forta që fryjnë në zonë, është “ndarë” në tre fronte, të përqendruara rreth Fermës, Akhlias dhe Schinokapsalës.

Qindra banorë dhe vizitorë nga këto zona, si dhe nga Agia Fotia, Galini dhe Koutsounari, u zhvendosën duke ndjekur udhëzimet e autoriteteve dhe dy mesazhet e dërguara nëpërmjet numrit 112.

Shërbimet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të lartë. Janë në funksion 8 ambulanca, të cilat deri më tani kanë transportuar tre qytetarë me probleme të frymëmarrjes, dy qytetarë me lëndime të lehta dhe një me probleme lëvizshmërie në spitalin e përgjithshëm të Ierapetrës.

Sipas zjarrfikësve, një operacion i madh për shuarjen e zjarrit është duke u zhvilluar me mjete tokësore dhe ajrore, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur edhe përforcime nga Athina. Forcat operacionale janë vazhdimisht në rritje, por operacioni i shuarjes së zjarrit vazhdon të jetë i vështirë për shkak të erës së fortë dhe terrenit të ashpër në zonë.

Rruga kryesore pranë vendbanimit Agia Fotia është mbyllur nga policia, e cila u ka kërkuar banorëve dhe vizitorëve të shmangin të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme për shkak të cilësisë së rrezikshme të ajrit, nxehtësisë ekstreme dhe reshjeve të hirit. Në Agia Fotia dhe Ferma, flakët u përhapën dhe dogjën shtëpi, dhe serra, ndërsa ende nuk është bërë një vlerësim gjithëpërfshirës i dëmeve./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu