
27 vjet pas masakrës së Reçakut, dëshmitë e të mbijetuarve rikthejnë tmerrin e 15 janarit 1999, kur forcat ushtarake dhe policore serbe masakruan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak, rreth 35 kilometra nga Prishtina.
Hasan Metushi, i cili humbi babanë dhe dy axhallarët, kujton momentin kur një ditë pas masakrës pa trupat e pajetë të familjarëve të tij. “Ishin ngri prej mrazi, krejt kufomat e ngrira kishin qenë”, rrëfen ai. Prej 27 vitesh, Metushi vazhdon të kërkojë trupin e nënës së tij, e cila mbetet ende e zhdukur.
Pavarësisht dhimbjes, ai shprehet se familja ndjen krenari, duke theksuar se gjaku i viktimave u bë simbol i çlirimit të Kosovës. Megjithatë, ai shpreh zhgënjim për mungesën e drejtësisë, duke thënë se dënimet për krimet e luftës kanë qenë minimale dhe të pamjaftueshme.
Edhe Agron Mehmeti, dëshmitar i masakrës, kujton sulmin brutal dhe vrasjen e familjarëve të tij, duke theksuar se për krimet në Reçak ka dëshmuar edhe para Tribunalit të Hagës në vitin 2002. Sipas tij, Serbia ende nuk ka kërkuar falje dhe vazhdon të mohojë krimin.
View this post on Instagram
Gati çdo fëmijë i Reçakut historinë e ka mësuar nga familja, meqë të gjithë kanë familjarë të vrarë në këtë masakër.
“Më kanë treguar prindërit që mi kanë masakruar edhe më kanë rënë martirë, gjyshi edhe xhaxhai. E xhaxhai nuk ka mundur ta shijojë shkollën për shkak që serbët ja kanë ndaluar shkollën edhe nuk kanë mundur të vazhdojnë shkollën se serbët nuk e kanë pyet a janë të vegjël, a janë fëmijë apo pleq por vetëm i kanë qit prej shkollës edhe nuk i kanë lënë të mësojnë as gjuhën shqipe dhe asgjë tjetër”, thotë mbesa e Ahmet Jakupit, Liana, e cila është nëntë-vjeçare.
Nga prindërit ka mësuar edhe Belina Kameri se si gjyshit të saj forcat barbare ja prenë kokën.
“Më kanë treguar prindërit që ka ndodhur një masakër [në Reçak], unë jam mbesa e Banush Kamerit. E kanë masakruar edhe e kanë hequr kokën”, shton ajo.
Liana e Belina të shoqëruar me shumë fëmijë të tjerë, vizituan këtë kompleks, ku u njoftuan për historinë edhe nga mësuesi i shkollës “Skënderbeu”, Xhelal Ismajli. Edhe ai tregon se ditën e 15 janarit, u masakrua babai i tij.
Vitet kalojnë, por dhimbja mbetet e gjallë edhe te brezat e rinj, të cilët historinë e Reçakut e mësojnë nga familjet e tyre. Mësues dhe familjarë apelojnë për më shumë përfshirje të kësaj historie në tekstet shkollore, në mënyrë që kujtesa të mos zbehet.
Masakra e Reçakut u bë një pikë kthese në historinë e Kosovës, duke nxitur reagimin e ndërkombëtarëve dhe ndërhyrjen e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe. Në Kompleksin Memorial të Reçakut, çdo vit bëhen homazhe në nderim të viktimave, ndërsa kërkesa për drejtësi mbetet ende e hapur.



