
Nga data 1 korrik 2025 hyn në fuqi vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që vendos kufij të rinj për kreditë e banesave, duke ndaluar financimin e plotë të vlerës së pronës. Vendimi synon të frenojë rreziqet e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të mbajë nën kontroll nivelin e borxhit të familjeve.
Sipas rregullores së re:
- Për shtëpinë e parë, kredia nuk mund të kalojë 85% të vlerës së pronës në lekë dhe 75% në valutë.
- Për shtëpinë e dytë, kufiri ulet përkatësisht në 80% (lekë) dhe 70% (valutë).
- Gjithashtu, përqindja e borxhit ndaj të ardhurave nuk duhet të kalojë 40% në lekë dhe 35% në valutë.
- Afati maksimal i kredisë do të jetë deri në 30 vjet ose deri në moshën e daljes në pension.
Drejtori i Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, Klodion Shehu, sqaroi se në treg ka pasur raste të financimeve që arrinin deri në 100% të vlerës së pronës, ndonëse ato ishin të pakta. Këto masa nuk lidhen me një krizë të momentit, por me një strategji parandaluese për të ruajtur cilësinë e kreditimit dhe stabilitetin e tregut.
Shehu theksoi se vendimi përfshin një kuotë përjashtimore prej 15%, që u lejon bankave të japin kredi edhe jashtë kufizimeve në raste të veçanta, por brenda një limiti tremujor.
Masat janë pjesë e një qasjeje më të kujdesshme në një periudhë me rritje ekonomike, rritje të të ardhurave dhe norma interesi të favorshme. Ato janë në përputhje me rekomandimet e FMN-së dhe kërkesat e Kuvendit për mbikëqyrje më të fortë në këtë segment.
Vendimi do të rishikohet brenda dy viteve, në varësi të zhvillimeve në tregun e kredive dhe pasurive të paluajtshme.