Vendimi nr. 240 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i datës 4 mars 2025, përcakton rregullat për përdorimin dhe komunikimin në rrjetet sociale dhe median online nga institucionet publike dhe funksionarët publikë gjatë periudhës zgjedhore. Ky vendim ka për qëllim të sigurojë ndarjen e qartë mes aktivitetit institucional dhe veprimtarisë politike apo elektorale, duke shmangur përdorimin e burimeve shtetërore për avantazh elektoral.

Sipas vendimit, llogaritë zyrtare në rrjetet sociale konsiderohen ato që mbajnë emrin e institucionit ose funksionit publik dhe administrohen nga strukturat përkatëse të institucionit për median dhe informimin. Ndërkohë, llogaritë personale, që përmbajnë vetëm emrin dhe mbiemrin e funksionarit publik dhe nuk lidhen me detyrën e tij, nuk përfshihen në këtë kategori.

Një nga dispozitat kryesore të vendimit është ndalimi i funksionarëve publikë të çdo niveli që të përdorin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, llogaritë e tyre zyrtare për qëllime partiake apo elektorale. Pasqyrimi i aktiviteteve të partive politike dhe fushatave elektorale lejohet vetëm në llogaritë personale të individëve dhe jo në ato institucionale.

Gjithashtu, ndalohet pasqyrimi i çdo veprimtarie të ndaluar në rrjetet sociale të institucioneve publike dhe llogaritë zyrtare të funksionarëve publikë. Në këtë kontekst, ndalohet edhe postimi i mesazheve elektorale dhe promovimi i veprimtarive politike në faqet zyrtare të internetit të institucioneve shtetërore dhe në rrjetet sociale të tyre.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së. Çdo subjekt që e konsideron këtë vendim të padrejtë ka të drejtën të bëjë ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 ditëve nga shpallja e tij.

Vendimi është firmosur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu