
Partia Demokratike ka depozituar një kërkesë zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar verifikimin e fletëve të votimit për zgjedhjet vendore të mbajtura më 11 maj 2025.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar përfaqësuesit të PD-së, Z. Indrit Sefa, KQZ ka sqaruar se numri prej 1,935,328 fletë votimi të papërdorura i referohet vetëm të dhënave të raportuara në procesverbalet e çdo qendre votimi (QV).
Megjithatë, Komisioni shton se këtij numri duhet t’i shtohen edhe:
- 27,340 fletë votimi për 74 QV, në të cilat është aplikuar votimi elektronik, në ZAZ nr. 27 (Bashkia Vorë) dhe ZAZ nr. 41 (Njësia Administrative nr. 10, Tiranë). Këto fletë nuk janë përdorur;
- 99,455 fletë të papërdorura, të raportuara në 233 QV, ku sipas KQZ-së ka pasur gabim në shënimin e të dhënave, duke u raportuar “0” në vend të numrit real;
- 5,369 fletë votimi, që sipas KQZ-së janë të papërdorura, por janë pasqyruar me gabime në procesverbalet e 1,380 QV-ve, sipas analizës logjike të të dhënave.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, thekson në përgjigje se të gjitha këto të dhëna janë të verifikueshme dhe procesi është dokumentuar sipas rregullave.
Kjo përgjigje vjen në një kohë kur opozita ka ngritur shqetësime për transparencën dhe integritetin e procesit zgjedhor të 11 Majit, duke kërkuar një hetim të thelluar mbi mënyrën e administrimit të materialeve zgjedhore.