Kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi këtë pasdite se është arritur shifra 50 mijë të regjistruar në platformën elektronike PER.
Janë mbi 83 mijë kërkesa drejtuar KQZ nga jashtë Shqipërisë në 17 ditë që kur nisën aplikimet më 11 janar.
Deri këtë pasdite ishin shqyrtuar mbi 79 mijë kërkesa nga aplikimet, nga të cilat pra janë miratuar 50 mijë.
Kryetari i KQZ, Celibashi, në dhënien e këtij lajmi falënderoi për kontributin ndërgjegjësues edhe faqen e njohur në Facebook, Lolita, njohur me emrin LOL Albania. Administruesit e faqes iu përgjigjën me shaka: “S’ka përse! Të lutem të më përfshish në procesin e numërimit të votave, se dua të shikoj si kanë votuar kushërinjtë nga Amerika.”
Faqja e ndjekur më së shumti nga shqiptarët kudo ndodhen i ishte bashkuar me një thirrje të gjithëve për t’u regjistruar. Në 17 ditë një fushatë e ethshme është bërë edhe në diasporë me aktivitete të shumta nga deputetë dhe zyrtarë të Partisë Socialiste dhe Demokratike.