
Drejtuesi i PS për Diasporën, Taulant Balla në një lidhje me Real Story tha se se projeksionet e deritanishme të ekipit të tij tregojnë një mbështetje të qartë për Partinë Socialiste në votën e diasporës, duke e vlerësuar këtë mbështetje në mbi 55%. Kjo është hera e parë që vota e emigrantëve numërohet drejtpërdrejt në Shqipëri pas miratimit të ndryshimeve ligjore që i dhanë diasporës të drejtën të votojë në zgjedhjet parlamentare.
“Projeksionet tona tregojnë që Partia Socialiste do të marrë një përqindje që shkon përtej 55% në votën e diasporës. Kjo është një arritje për të cilën jam shumë krenar, sepse pas shumë përpjekjesh shumëvjeçare, kemi bërë të mundur që zëri i bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit të dëgjohet e të vlejë njësoj si çdo votë tjetër brenda vendit,” tha Balla gjatë një interviste në televizionin ABC.
Ai theksoi se procesi i votimit nga jashtë është zhvilluar në kohë rekord dhe se çdo votë e çdo qytetari do të numërohet, pa përjashtim.
“Dua të siguroj veçanërisht bashkatdhetarët tanë në Greqi, për të cilët ka patur diskutime dhe shqetësime, se asnjë votë nuk do të hidhet poshtë. Askush nuk ka të drejtë ta përjashtojë votën e tyre nga verdikti përfundimtar i këtyre zgjedhjeve,” u shpreh ai.
Ai tha se numëruesit janë të detyruar të hapin çdo zarf dhe të numërojnë çdo fletë që ndodhet brenda kutive, sipas ligjit.
“Grupet e numërimit nuk janë as komisionerë politikë, as interpretues të vullnetit të votuesit. Ata thjesht numërojnë. Të gjitha kontestimet bëhen më pas, përmes procedurave ligjore, pranë KZAZ-ve, Komisionerit Shtetëror, KAS-it ose Kolegji Zgjedhor,” shtoi ai.
Akuzat për mostransparencë në KQZ
Balla reagoi edhe ndaj pretendimeve për mungesë transparence nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me një shkresë zyrtare të DHL-së, e cila kishte mbërritur që në datën 9 maj. Në këtë shkresë, sipas gazetarit që intervistoi Ballën, DHL deklaronte se për çdo zarf dorëzimi kishte firmën e marrësit përkatës.
“Unë nuk e dija për këtë letër që paskësh sjellë DHL me konfirmim të firmës së marrësit. Nëse është e vërtetë që kjo letër është mbajtur fshehur nga KQZ, atëherë kemi të bëjmë me një tjetër problem serioz për të cilin do të kërkojmë shpjegime,” tha Balla.
Në përfundim, ai garantoi qytetarët se Partia Socialiste do të respektojë çdo vendim institucional, por do të kërkojë sqarim dhe korrigjim për çdo devijim nga ligji dhe transparenca.