Fredi Beleri, i zgjedhur kryetar i Bashkisë së Himarës nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak se është i dënuar me 2 vite burg me vendim të formës së prerë.

Ky është konstatimi që bën administrata zgjedhore në relacionin që shoqëron projektvendimin që do të diskutohet këtë të enjte nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve për vlefshmërinë e mandatit të Belerit.

yacht hotel sarande

Ndonëse nuk del me një vendim për shpallje vakance, një e drejtë kjo që i përket vendimmarrjes së komisionerit, administrata thekson se pas shkëmbimit të korrespondencës me Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe marrjes në dorëzim të vendimit të shkurtuar në ngarkim të Belerit, rezulton se ai është deklaruar fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe për këtë është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

Vepër kjo që sipas administratës së KQZ-së hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj.

Në këto rrethana thuhet në relacion Beleri nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në rast se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk do të ketë një vlerësim ndryshe nga sa bën administrata e KQZ-së, atëherë do të duhet të shpallet vakanca dhe KQZ duhet të njoftojë presidentin, i cili brenda 45 ditësh nga marrja e vendimit do duhet të caktojë një datë për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës.

Tv Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu