
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës pas përfundimit të pauzës, por pa praninë e Lëvizjes Vetëvendosje në sallë. Në seancë janë të pranishme partitë opozitare, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në rendin e ditës është vetëm një pikë, shqyrtimi i Propozim-Rezolutës që lidhet me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes nga ana e Qeverisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që kjo situatë ka në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Mungesa e LVV në këtë seancë pritet të ndikojë në zhvillimin e debatit dhe vendimmarrjes, ndërsa opozita synon të ushtrojë presion për masa konkrete ndaj rritjes së çmimeve që kanë rënduar qytetarët.
Seanca pritet të shoqërohet me diskutime të forta politike, në një moment kur çështja e çmimeve të karburanteve është kthyer në një nga shqetësimet kryesore për ekonominë dhe jetesën e qytetarëve në Kosovë.






