
NGA AGUSTIN PALOKAJ
Nëse vlerësohet në bazë të pritjeve dhe synimeve të shprehura në fushatë të gjitha partitë politike kanë humbur. Prandaj gjithçka që është thënë gjatë fushatës më nuk vlen. Tash duhet partitë politike humbjen ta shndërrojnë në fitore duke mbledhur votat e nevojshme për krijimin e qeverisë. Edhe VV-ja në njërën anë, edhe tri partitë tjera së bashku në anën tjetër, mund ta bëjnë shumicën vetëm me votat e pakicave. Prandaj pas këtyre zgjedhjeve pritet që deputetët e pakicave të kenë një peshë më të madhe
Rezultati i zgjedhjeve të së dielës është gjendja reale e disponimit të qytetarëve të Kosovës, VV-ja është pa dyshim partia kryesore, më e madhe dhe më e organizuara. Por ky është maksimumi i saj. Mbi 50 për qind të votave vështirë se do të mund t’i fitojë ndokush në Kosovë ndonjëherë, pos nëse do të ketë rrethana të jashtëzakonshme. E në vitin 2021, VV-ja fitoi mbi 50 për qind pikërisht për shkak se rrethanat ishin të jashtëzakonshme. Ishte koha pas pandemisë që tronditi tërë botën, e edhe Kosovën. Ishte dëshpërimi i madh i elektoratit me LDK-në për shkak të mënyrës se si strukturat e vjetra udhëheqëse të saj e prishën qeverinë, ishte edhe dalja e një pjese të respektuar të LDK-së në anën e VV-së, ishte motivimi i jashtëzakonshëm edhe i diasporës dhe gjeneratës së re edhe në Kosovë për të sjellë ndryshime. Dhe ishte kundërshtimi masiv që opinioni kishte kundër ideve për ndarjen e Kosovës, opsion kundër së cilit më së shumti ishte VV-ja.
Sado që Kosova ka sfida të mëdha, sot situata është më normale sesa që ishte në kohën kur nuk dihet a kishte mbaruar apo jo pandemia e Covidit. Tash të gjitha partitë do të bëjnë analiza se pse dolën rezultatet si dolën. Por duhet të nisen nga fakti se kjo është gjendja reale dhe, me gjasë, fushata nuk ka ndikuar shumë që preferencat e votuesve të ndryshojnë.
Shumë parti patën por edhe krijuan tek të therët pritje të mëdha. Këtë e bënë edhe përmes shkathtësive multimediale, duke projektuar stadiume, rrugë, ura, salla dhe duke dhënë premtime të mëdha. Edhe tubimet u xhiruan në atë mënyrë që të duket se ishin shumë masive. Por secili që ka përvojë nga tubimet e mëdha, sidomos nëse kanë shkuar në ngjarje të mëdha sportive, e dinë se partitë në fushatë mbushnin vetëm salla të vogla. Palestrat e Kosovës pak a shumë kanë vend për diku rreth 1500 persona. Stadiumi “Fadil Vokrri”, nëse mbushet përplot, nuk i zë as 14.000 shikues. Pra pamjet nga “tubimet madhështore”, “të papara deri më tash” u dëshmuan se nuk ishin shprehje reale e mbështetjes së qytetarëve.
Nëse vlerësohet në bazë të pritjeve dhe synimeve të shprehura në fushatë të gjitha partitë politike kanë humbur. Prandaj gjithçka që është thënë gjatë fushatës më nuk vlen. Tash duhet partitë politike humbjen ta shndërrojnë në fitore duke mbledhur votat e nevojshme për krijimin e qeverisë. Edhe VV-ja në njërën anë, edhe tri partitë tjera së bashku në anën tjetër, mund ta bëjnë shumicën vetëm me votat e pakicave. Prandaj pas këtyre zgjedhjeve pritet që deputetët e pakicave të kenë një peshë më të madhe.
Pra tash fokusi do të jetë se si do të përkthehen rezultatet e zgjedhjeve në procesin e themelimit të qeverisë. VV-ja duhet të jetë e para e cila duhet ta marrë mandatin për të tentuar ta krijojë shumicën. Nëse nuk do të ketë sukses, nëse dëshmohet se kapaciteti i saj për ndërtim koalicionesh nuk është i mjaftueshëm, atëherë këtë duhet ta merr përsipër ndonjë parti tjetër. Në vende normale negociatat për formimin e qeverisë zgjasin disa muaj, në Belgjikë për shembull qeveria u krijua para një jave dhe atë pas më shumë se tetë muaj diskutimesh. Dhe kjo nuk ka qenë aq kohë e gjatë pasi një herë Belgjika kishte formuar qeverinë pas gati dy vjetësh. Nga shtetet dhe shoqëritë e zhvilluara po ashtu kemi dhe shembuj se si nuk vlejnë më ato që janë thënë në fushatë, dhe se dallimet ideologjike nuk janë doemos pengesë për bërjen e koalicionit.
Por Kosova nuk e ka luksin të zgjasë procesin e krijimit të institucioneve për disa muaj. Sepse ka sfida të brendshme të mëdha, ndërsa me to duhet të përballet në rrethana jo të zakonshme ndërkombëtare dhe rajonale. Kosova sot nuk ka raporte sa duhet të mira me bashkësinë ndërkombëtare, as me SHBA-në e as me BE-në. Këtu nuk duhet llogaritur ndërhyrjen e Richard Grenellit në fushatën zgjedhore, sepse ai asnjëherë nuk e ka fshehur kundërshtimin ndaj kryeministrit Kurti. Por është fakt se në aspektin e bashkëpunimit politik, edhe BE-ja edhe SHBA-ja kanë shprehur pakënaqësi, deri në vendosjen e masave ndaj Kosovës. Pak ka rëndësi kush ka të drejtë këtu e kush jo. Fjala raporte nënkupton së paku dy palë. Nëse njëra palë thotë se nuk është e kënaqur me raportet. atëherë nuk mund të thuhet se ato janë të mira.
Por edhe opozita nuk që në gjendje të shprehet qartë rreth kërkesave ndërkombëtare. Me përjashtim të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, asnjë politikan nuk pati guxim të thotë se do ta dërgonte draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. E kjo është kërkesa kyç e miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe nuk mund të ruhen raportet e mira e po ashtu të thuhet se as nuk do të përfillet një kërkesë të tillë. E kërkesat ndërkombëtare nuk do të ndalen, pa marrë parasysh se kush do ta themelojë qeverinë. Do të pritet që Kosova të nisë procesin e themelimit të Asociacionit, të përmbushë edhe obligimet tjera nga procesi i dialogut. Dhe mund të ndodhin edhe gjëra të papritura nga administrata tejet e paparashikueshme e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në anën tjetër tensione ka në Serbi dhe nuk mund të parashikohet se si do të sillet Beogradi. Pa marrë parasysh sjelljen e Beogradit, bashkësia ndërkombëtare do të presë një normalitet në integrimin e serbëve në strukturat e Kosovës dhe që qeveria e Kosovës ta ndihmojë këtë proces. Do të donin që pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje parlamentare të jetë nisje e kthimit të tyre në institucionet e Kosovës. Kjo do të duhej të pasohej edhe me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pra zgjedhjet kanë nxjerrë një rezultat real. Në ndonjë vend tjetër kjo do të quhej fitore bindëse e Vetëvendosjes. Por fakti se në Kosovë, 20 vende janë të rezervuara për pakicat, dhe se e gjithë opozita dukej sikur ishte e bashkuar kundër VV-së, i bën këto rezultate të tilla që të mund të quhen të gjithë ose humbës ose fitues, edhe humbës edhe fitues./KOHA DITORE