Prishtinë, 27 dhjetor 2025 – Shitja dhe përdorimi i cigareve elektronike në Kosovë vijon të mbetet pa rregullim ligjor, një boshllëk që po shfrytëzohet nga tregtarët për t’ua shitur këto produkte edhe të miturve, madje edhe në ambientet e shkollave. Kështu ka deklaruar Shkumbin Spahija, drejtor i Aleancës për të Ardhmen e Kosovës pa Duhan, në një intervistë për Ekonomia Online.

Sipas Spahijës, mungesa e një ligji të qartë që ndalon ose rregullon cigaret elektronike ka krijuar terren për abuzime serioze. Ai thekson se përpjekjet për ta adresuar çështjen në draftin e projektligjit për kontrollin e duhanit dhe produkteve të nikotinës kanë dështuar të miratohen në parlament për shkak të ngërçit politik.

“Produktet ‘vape’ përmbajnë substanca toksike dhe kanë potencial të shkaktojnë kancer, si dhe krijojnë varësi të lartë, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Mosadresimi i kësaj çështjeje është një dështim institucional dhe rrezikon shëndetin publik në të ardhmen,” u shpreh Spahija.

Ai ngriti shqetësim edhe për moszbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, i cili ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura publike. Sipas tij, ndonëse ligji është në fuqi që nga viti 2013, zbatimi në praktikë është minimal dhe përgjegjësia është lënë kryesisht në dorën e pronarëve të lokaleve.

“Pirja e duhanit në vende publike të mbyllura është shndërruar në dukuri normale. Mungon veprimi i autoriteteve zbatuese dhe kjo përbën një tjetër dështim institucional,” theksoi ai.

Sa i përket kontrolleve, Spahija vlerëson se monitorimi nga institucionet përgjegjëse është në nivel shumë të ulët, ndërsa inspektimet janë sporadike dhe pa efekt afatgjatë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që autoritetet të ndalojnë shitjen e produkteve të nikotinës pranë shkollave dhe përdorimin e tyre në kampuse, duke theksuar rrezikun për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve.

Ekspertët bëjnë thirrje që rregullimi ligjor, zbatimi rigoroz i ligjit ekzistues dhe parandalimi i konsumimit të duhanit dhe produkteve të nikotinës tek të rinjtë të trajtohen si prioritet kombëtar i shëndetit publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu