Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV), ka reaguar pas dyshimeve të ngritura ditë më parë në mediat në Shqipëri, për një bakterie që pretendohet se është gjetur në mishin e pulës të importuar nga Brazili. Ky dikaster ka lëshuar urdhëresë për kontrollin kufitarë, që të gjitha ngarkesat e mishit të pulës (fileto-breast) me origjinë nga Brazili të dërgohen për testim mikrobiologjik, duke përfshirë tipizimin për llojet Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Enteritidis.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi në një prononcim për portalin rtv21.tv në lidhje me këtë çështje ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë argument apo rezultat laboratorik qe dëshmon për prezencë të “Salmonella Typhimurium në fileto pule të importuar origjina Brazil.

“Menjëherë pas publikimit të lajmit në Shqipëri, mbi dyshimet e ngritura për prezencë të “Salmonella Typhimurium në fileto pule të importuar nga Brazili”. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka lëshuar urdhëresë për kontrollin kufitarë, që të gjitha ngarkesat e mishit të pulës (fileto-breast) me origjinë nga Brazili të dërgohen për testim mikrobiologjik, duke përfshirë tipizimin për llojet Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Enteritidis. Ngarkesat e mostruara sipas procedurës qëndrojnë të bllokuar deri në nxjerrje të rezultateve të analizave”, ka deklaruar Thaçi për portalin rtv21.tv

Sipas AUV-it deri më tani asnjë qytetar nuk ka pasur asnjë dyshim për indikacione shëndetësore në lidhje me konsumimin e këtij lloji të mishit.

“Po ashtu në kontrollin e brendshëm bazuar në vlerësim të analizës se rrezikut, janë inspektuar disa pika shitëse, ku përveç kontrollit është bërë edhe marrja e mostrave. Është kontaktuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri, nga të cilët kemi marrë konfirmim se nuk ka pasur ri-eksporte të produkteve të dyshuara nga Shqipëria për në Kosovë. Nga të gjitha linjat e komunikimit me konsumator apo institucionet shëndetësore deri me tani nuk kemi pranuar ndonjë njoftim lidhur me dyshime se ndonjë qytetar ka pasur indikacione shëndetësore të lidhura me konsum të mishit të pulës. Për të siguruar konsumatorët tonë ne kemi ngritur masat e kontrollit në dy nivelet. Po merren mostrat për testim, në momentin qe lëshohen rezultatet nga laboratori, ato do të komunikohen për publikun. Deri me tani nuk ka asnjë argument apo rezultat laboratorik qe dëshmon për prezencë të “Salmonella Typhimurium në fileto pule të importuar origjina Brazil, gjithçka është vetëm në nivelin e dyshimeve. AUV është duke ndërmarrë veprimet për të hequr dyshimet e ngritura”, thekson Thaçi. /21Media

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu