Në një seancë të përbashkët në Prishtinë, janë bërë bashkë ligjvënësit e Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilët miratuan edhe Deklaratën që kërkon agjendë kombëtare për realizimin e objektivave strategjike. Në seancën ku morën pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, u bë thirrje për më shumë bashkëpunim mes të dyja shteteve.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të atij të Shqipërisë u mblodhën në Prishtinë në një seancë të përbashkët parlamentare, e cila u dominua nga mesazhet për bashkëpunim e unitet.

yacht hotel sarande

Në seancë mori pjesë presidentja Vjosa Osmani, dhe kryeministrat Albin Kurti e Edi Rama.

Punimet u hapën me intonimin e himneve, atij të Kosovës e atij kombëtar.

Qëllimi i kësaj seance qe miratimi i një deklarate me të cilën të dyja shtetet koordinojnë agjendën kombëtare për realizimin e objektivave strategjike.

Deklarata të cilën e lexoi kryeparlamentari Glauk Konjufca, mes tjerash kërkonte angazhim kombëtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimin euroatlantik të Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

“Të dy kuvendet mbështesin dhe kërkojnë angazhim serioz për ta çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në bashkëpunim të plotë me BE-në dhe SHBA-në, për ta finalizuar një marrëveshje, por e cila duhet të jetë marrëveshje e njohjes së ndërsjellë. Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë e dënojnë sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku duke i bërë thirrje Serbisë që ta dorëzojë në Kosovë terroristin Milan Radojqiq”, ka deklaruar ai.

E kryeparlamentarja Elisa Spiropali u shpreh optimiste se Kosova së shpejti do t’i arrijë sukseset integruese të Shqipërisë.

“Ne nxisim pesë vendet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende, të pranojnë se çfarë mund të bëhet tani. Nuk është mirë të lihet për më vonë, se herët a vonë është e qartë që Kosova do të jetë edhe një Flamur më shumë në selinë e OKB-së dhe një yll më shumë në flamurin evropian”, u shpreh Spiropali.

Para deputetëve foli edhe presidentja Osmani, e cila kërkoi bashkëpunim e koordinim më të madh.

“Në veçanti është me rëndësi unifikimi i politikës sonë të jashtme si dhe bashkëpunimi ynë në mbrojtje të pavarësisë së arritur me aq shumë sakrifica të Republikës së Kosovës, si dhe sovranitetit të shtetit tonë”, ka thënë Osmani.

Deputetëve iu drejtuan edhe përfaqësues të grupeve parlamentare.

Gjatë fjalimit të shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusarit, protestoi deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, duke thirrur me fjalën serbe “Zdravo”.

Por, shumë nga ta kërkuan koordinim, pavarësisht dallimeve.

“Rruga e vetme për të përballur sfidat është që qëndrojmë dhe të punojmë së bashku jo për pushtet, por për shtet”, ka thënë Fatmir Mediu nga Aleanca për Ndryshim.

“Kudo që nuk ka pasur mundësi të flasë Kosova, nuk ka pasur mundësi të hyjë në ndonjë takim apo të udhëtojë në një vend të largët, ka qenë zëri i Shqipërisë dhe prania e Shqipërisë si përfaqësim i Kosovës, ka deklaruar Enver Hoxhaj i PDK-së.

Pati kritika edhe për zbehje bashkëpunimi.

“Ka një trashëgimi të viteve të 90-ta ku parlamenti i Kosovës në atë kohë i cili ishte nën sulm nga Serbia, kishte përkrahjen e parlamentit të Shqipërisë, ku politika dhe organizimi kishte përkrahjen e Shqipërisë, ku UÇK-ja kishte përkrahjen e Shqipërisë. Sot ajo nuk është në ditët më të mira”, është shprehur Arben Gashi i LDK-së

“Me të mirat dhe dobësitë tona të cilat i kemi gjithashtu të përbashkëta, jemi një lloj edhe në temperamentin politik siç u pa sot këtu, por mbetemi vëllezër të një shtëpie të përbashkët”, ka thënë Niko Peleshi, shef i Grupit Parlamentar të PS-së.

Njëzëri, politikanët nga të dyja anët kërkuan unitet e bashkëpunim të ngushtë sidomos në fushën e sigurisë.

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar fotografi nga ceremonia e nënshkrrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Kurti ka publikuar foto me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, nga kjo ceremoni, teksa ka thënë se kur bëhen bashkë, punët janë më të mira dhe e rrisin imazhin e kombit shqiptar.

“Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira edhe e rritin imazhin e kombit shqiptar, kësaj radhe duke e dëshmuar institucionalisht traditën tonë të mirënjohur të mikpritjes edhe në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu