
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës, ku një vajzë e mitur, rreth 14 vjeçe, është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte. Sipas njoftimit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:20 dhe e mitura po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Nëna e vajzës ka dhënë një dëshmi tronditëse për mediat, ku rrëfen se familja përballet prej kohësh me bullizim në lagje, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në burg për dhunë në familje.
> “Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz. I thashë asaj që ma goditi mos të më bezdisin vajzat time. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste. Më goditi dhe mua në stomak dhe mua më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që ‘mamin ta morën në polici, jeni fshatarë’. Merrni masa se nuk më lenë rehat”, është shprehur nëna e vajzës.
Policia po heton rrethanat e ngjarjes për të sqaruar plotësisht motivet dhe përgjegjësitë.