Kryeministri Edi Rama vizitoi Kolegjin e Evropës në Bruzh, Belgjikë, ku mbajti një fjalë të fortë mbi sfidat me të cilat po përballet sot Bashkimi Evropian dhe demokracia në kontinent.

Rama u shpreh se Evropa po kalon një periudhë të vështirë, e shënuar nga agresioni rus në Ukrainë, konkurrenca globale dhe ndryshimet klimatike.

“E di që nuk janë ditët më të mira për Evropën demokratike dhe vetë BE. Lufta është kthyer nga agresioni mizor i Rusisë në Ukrainë, ndërsa konkurrenca globale po minon udhëheqjen ekonomike dhe teknologjike të Evropës,” tha ai.

Kryeministri e cilësoi Kolegjin e Evropës si një “laborator të vetë Evropës”, ku përgatiten gjeneratat e ardhshme të liderëve që do të udhëheqin kontinentin. Sipas tij, shpëtimi i Evropës nuk mund të vijë nga jashtë, por nga brenda saj, përmes unitetit dhe bashkëpunimit mes popujve dhe institucioneve.

“Shpëtimi i kësaj bote nuk gjendet askund përveçse në zemrën njerëzore. Kështu është edhe për Evropën. Zemra e saj mund të rrahë vetëm përmes bashkimit,” theksoi Rama.

Ai foli gjithashtu për sfida të tjera që kërcënojnë të ardhmen e BE-së, si keqinformimi që, sipas tij, “gërryen oksigjenin e demokracisë – besimin”, apo krizat që shpesh e bëjnë më të lehtë “të numërosh kufijtë që ndajnë vendet, sesa urat që i bashkojnë”.

Në fund të fjalës së tij, Rama vlerësoi rëndësinë historike të qytetit të Bruzhit dhe rolin që Kolegji i Evropës ka pasur në formimin e brezave të liderëve dhe mendimtarëve evropianë. Ai iu drejtua studentëve të pranishëm duke shprehur bindjen se shumë prej tyre do të jenë nesër komisionerë, ministra apo kryeministra, që do të çojnë përpara frymën evropiane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu