
Autoritetet veterinare kanë konfirmuar praninë e murtajës së ruminantëve të vegjël në një fermë bagëtish në fshatin Shuec, bashkia Devoll, duke shënuar kështu vatrën e parë të kësaj sëmundjeje në qarkun e Korçës.
Sipas të dhënave zyrtare, nga 160 krerë bagëti të pranishëm në fermë, janë regjistruar 15 ngordhje si pasojë e sëmundjes. Shërbimi veterinar ndodhet në terren dhe po zbaton masat e menjëhershme për izolimin dhe kontrollin e vatrës, në një perimetër sigurie prej 3 kilometrash.
Në shkallë kombëtare, Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar më herët përhapjen e murtajës në qarqet Shkodër, Dibër, Bulqizë dhe Skrapar, me gjithsej 716 krerë të prekur, 25 të ngordhur dhe 153 të asgjësuar. Sëmundja prek vetëm delet dhe dhitë, nuk transmetohet te njeriu, por ka rrezik të lartë përhapjeje.
Në funksion të menaxhimit të situatës, është ndaluar përkohësisht çdo lëvizje e dhenve dhe dhive në nivel kombëtar, përveç rasteve të therjes të pajisura me certifikatë veterinare. Janë aktivizuar 39 grupe kontrolli në terren, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Komisionin Evropian për zbatimin e masave teknike dhe mbikëqyrjen epidemiologjike.
Fermerët inkurajohen të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar në linjën telefonike falas 0800 3366.