
Autoritetet veterinare shqiptare kanë konfirmuar rastin e parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në vendin tonë. Rasti është identifikuar në një fermë me dhi në njësinë administrative Postribë, në qarkun Shkodër.
Sipas njoftimit zyrtar, mostrat e marra nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ku është konfirmuar prania e virusit PPR, një sëmundje infektive që prek ruminantët e vegjël – kryesisht delet dhe dhitë.
Masat e marra nga autoritetet
Pas konfirmimit, janë ndërmarrë menjëherë masat e përcaktuara në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, përfshirë:
- Izolimin e fermës së prekur
- Kufizimin e lëvizjes së kafshëve
- Mbikëqyrjen e zonave përreth
- Informimin dhe ndërgjegjësimin e fermerëve
Thirrje për kujdes dhe bashkëpunim
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të deleve dhe dhive që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve.
Nëse vërehen simptoma si:
- Temperaturë e lartë
- Rrjedhje nga hunda
- Inflamacion i syve
- Ulje e oreksit
- Diarre
- Ngordhje të papritura
➡️ Duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal ose të kontaktohet numri falas: 0800 3366.
Sqarim për publikun
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë thekson se Murtaja e Ruminantëve të Vegjël nuk transmetohet tek njerëzit, pra nuk përbën rrezik për shëndetin publik.
Institucionet përgjegjëse do të vijojnë ndjekjen e situatës në terren dhe do të informojnë publikun në mënyrë të rregullt për çdo zhvillim.