Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Në rend të ditës ishte kërkesa e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për zhvillimin e një mocioni me debat mbi prioritetet e shpallura të qeverisë në programin politik, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit.

Peleshi bëri me dije gjithashtu se është depozituar edhe një kërkesë nga një grup deputetësh të PD-së për zhvillimin e një mocioni me debat me qëllim miratimin e një rezolute për njohjen e genocidit serb në Kosovë.

Gjatë mbledhjes, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi kërkesën e opozitës si një akt që nuk respekton as në formë e as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit.

“E lexova mocionin, në të cilin ka 6 super çështje, ku secila ka nënçështje të shumta. Rregullorja thotë një çështje. Ju keni listuar disa makro çështje. Në të kaluarën kemi rënë dakord që mocioni të hartohet vetëm për një çështje të caktuar. Kjo kërkesë nuk është në përputhje me rregulloren,” deklaroi Balla.

Ai kujtoi opozitës se Kuvendi ka një sërë mekanizmash ligjorë për të ushtruar mbikëqyrjen ndaj ekzekutivit, duke theksuar se kërkesa e depozituar nuk është e pranueshme në formën aktuale.

Në përfundim, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi për zhvillimin e mocioneve dhe vendosi që të dyja çështjet të kalojnë për shqyrtim në seancë plenare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu