
Kryeministri Edi Rama po mban konferencën e fundvitit, teksa e ka nisur me një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit 2025 dhe prioriteteve të qeverisë për periudhën në vijim.
Rama: Të japë dorëheqjen?! Mora 83 mandate! AKSHI, institucion krenarie për ne! Ja sa para ka kursyer
Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundit përballë gazetarëve për këtë vit deklaroi se AKSHI është institucioni për të cilën kjo qeveri është krenare, pavarësisht skandalit që po heton SPAK.
Ai u ndal dhe te kërkesa e opozitës për dorëheqjen e tij, ndërsa me çudi pyeti se përse duhej ta jepte, duke kujtuar se kishte fituar 83 mandate.
“Ky vit është viti më i suksesshëm i Shqipërisë. Shqipëria është vendi ku këtë vit që po mbyllim, u mblodh tërë Europa politike në Sheshin Skënderbej. Erdhën në vendin e korruptuar mendoni ju? Jo! Por nuk morën opinionin e 700 tenxhereve politike. KE e fal një vend që do të ishte jo ky që thonë tenxheret, por 1/10 e tij, kurrë! Asnjëherë. Nëse po ndodh sot ky proces, është miritë e kësaj force politike. S’keni për të dëgjuar kurrë asnjë sharje nga unë fjali apo presione e kërcënime ndaj këtyre organeve. Ky është një proces i pashmangshëm, i domosdoshëm. Ça është ky muhabet? Jep dorëheqjen? Për çfarë? Për cilën? Për AKSHIN? AKSHI, është një institucion krenarie për ne! Që të jemi të qartë ne. Jo për të ulur kokën, por për të qenë krenarë. Është një institucion për të qenë krenar sepse; kemi qenë këtu ne, kur duhej të shkonit të mbanit radhën dhe për një certifikatë. Edhe kur ata që kishit jashtë, duhet të vinin këtu se nuk kishte shans që të merrnin një copë nga atje jashtë. 620 mln lekë ka kursyer AKSHI, që janë 620 mln euro, për shqiptarët. U kursyen këto lekë falë dixhitalizimit. 7600 vite në radhe, janë 25 mijë fluturime rreth tokës. Këto ka bërë AKSHI.”, tha ai.
Ankimoi në Kushtetuese pezullimin e Ballukut/ Rama nuk tërhiqet: SPAK hyri në territorin e Ekzekutivit brutalisht
Kryeministri Edi Rama deklaroi se SPAK hyri brutalisht në territorin e ekzekutivit sa i takon çështjes Balluku.
“Rasti vjen në Parlament, dhe rasti para se të shkonte në Parlament, u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv brutalisht, enjë kërkesë skandaloze për pezullim. Tani mund ta them me plot gojën. E kemi kërkuar gjithandej nëse ka një të dytë. Nuk ka. Nuk ka ndodhur as në Europë e në asnjë vend të botës. Që të mblidhet një gjykatës dhe një prokuror e të thotë; kështu kemi vendosur ne. Ne mbajtëm një qëndrim. Edhe në Parlament do të mbajmë një qëndrim. Shqipëria është vendi më skandaloz i Këshillit të Komunitetit të Europës, nuk e them unë, por shifrat. Jemi në diferencë nga të tjerët, për burgosjen e njerëzve pa gjyq. Numri i njerëzve që gjenden sot në Shqipëri pa qenë të dënuar, të cilët në kuptimin e Kushtetueses dhe të konventave europiane, është më i madh se numri i atyre që janë të dënuar. E dini se sa janë këta? Nuk e dini! Tenxheret fjalën burg, vjedhje, hajdut, e kanë si kripën, piperin, dhe salcën në çdo lloj gjelle.”, tha ai.
Rama: Paraburgimi në Shqipëri, alarm!
Kryeministri i vendit Edi Rama, u ndal edhe sot te çështja e paraburgimit në Shqipëri, e cila sipas tij është kthyer në alarm edhe për Këshillin e Europës. Ai theksoi po ashtu se e 1/3-a e të burgosurve janë të pa dënuar.
“Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve, jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua nga Këshilli. Kemi 1985 të dënuar dhe 4442 të burgosur. Në Shqipëri falë edhe jush, nuk ka të pafajshëm, por ka të dënuar, qysh në momentin që dyshohen. E ka kaluar njëherë këtë traumë ky vend. Kjo shifër tregon që në Shqipëri probabiliteti që ti të shkosh në burg si i dyshuar është më i lartë se sa të jesh fajtor. Ky është fakti më rrëqethës, Këshilli ka bërë një dokument të të tërë për paraburgimin për çdo njeri që beson te dinjiteti i tjetrit, ai dokument është alarm, sepse në fund të ditës sensi i drejtësisë është më mirë “100 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda”.
Nuk është kap e fut njerëz brenda dhe e shohim nesër a jeni a s’jeni fajtorë. Përdorin këto shprehjet, përbën rrezik për prishje provash e për ikje, çdo lloj mase duhet argumentuar, nuk është automatike.
Pastaj vijmë te graviteti i veprës. Dua t’ju jap prapë pak shifra që janë të vërteta, mund të ketë një pasaktësi ë, por janë të vërteta. Jo çdo kush që hetohet dhe akuzohet nga Prokuroria ka bërë korrupsion. Ka edhe vepra të tjera, “shpërdorimi i detyrës” përshembull së cilës iu kthye edhe vetë BE sepse është si një thes i madh ku njerëzit futen kollaj fare. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion.”
Rama: Që kur mesazhet janë prova?!
“Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka bërë burg për prerje pemësh, jo se nuk është krim, por pa ju lodhur me detaje, rasti është turp! Pabarazia në tendera, nuk është korrupsion, është vepër tjetër. Ç’a do të thotë mesazhe? Që kur ato janë prova?! Që kur janë ushqim për mediat?! Patjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq, çfarë ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm, po ç’a i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja? Kush ia kthen mbrapsht jetën?!
Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij! Unë nuk fajësoj mediat për këtë, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Si mundet që ky vend të jetë ky dhe në të njëjtën kohë sigma që merret me analiza faktuale, nuk merret me mesazhe?! 37 raste për 12 vjet ndërveprime janë një numër krejt i arsyeshëm për të goditur fenomenet. Ndërkohë që deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet, procese të zvarritura dhe Strasburgun që ka evidentuar gjëra të rënda kur dikush ka shkuar atje pasi ka kaluar këtë kalvar.”
Rama: “SPAK nuk është opozita e qeverisë”
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek Prokuroria e Posaçme, ku nënvizoi se SPAK është një institucion, jo opozitë e qeverisë.
Ai u shpreh se depresioni i thellë ku ndodhet opozita e qeverisë bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi e PD-së për të goditur qeverinë.
“SPAK-u nuk është opozita e qeverisë. Është një institucion i ri, i mbështetur nga kjo forcë qeverisëse dhe i garantuar prej saj. Në sensin që të tjerët janë betuar se do ta shkrijnë, por nuk e shkrijnë dot, sepse votat i kemi ne. Është një institucion që bën punën e vet. Por depresioni i thellë ku ndodhet opozita e qeverisë bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depressive për të goditur qeverinë”, tha Rama.
Rama: “SPAK, SPAK, SPAK…”
Pyetja e parë që iu bë kryeministrit Edi Rama në konferencën e fundit për vitin 2025 lidhej me punën e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK). Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, e pyeti edhe për protestat e opozitës të cilat janë planfikuar të mbahen edhe përgjatë 2026-ës, derisa siç ka deklaruar vetë kryedemokrati Sali Berisha, të rrëzohet qeveria.
Gazetarja Elja Zotka: A konsideroni SPAK-un opozitën tuaj të vërtetë dhe kur folët për një reflektim të kufijve mes pushteteve, a e kishit parasysh se mund të ketë një ndërhyrje në arkitekturën e reformës së drejtësisë së re?
Kryeministri Edi Rama: Meqë fjalën dhe kryefjalën dhe kallëzuesin e kundrinorin e keni SPAK, pikën e parë e keni SPAK-un, do përgjigjem natyrisht. SPAK-u nuk është opozita e qeverisë, është institucion i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse. I garantuar nga kjo forcë qeverisëse, në sensin që të tjerë janë betuar se do ta shkrinin, por nuk e bëjnë dot sepse votat i kemi ne. Kështu që, nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita politike e qeverisë, bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë.
Natyrisht, të 700 tenxheret, produktin e gjithë procesit e marrin dhe e ziejnë, gatuajnë 700 lloj gjellërash duke bërë diçka që nuk ndodh këtu për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut, që shurdhon publikun me presion dhe dezinformon publikun thellësisht.
Sa i përket protestave poshtë penxheres, i kemi ndarë punët prej shumë vitesh, unë dhe PS-ja në zyrë, të tjerët në rrugë. Në liritë njerëzore siç e patë, Shqipëria është në vend shumë dinjitoz dhe kjo është pjesë e lirive, s’kam problem unë me këto.
Rama: Do të prodhojmë dronë, mjete të blinduara e sisteme antidronë
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën e fundvitit ka deklaruar se Shqipëria do të prodhojë mjete të blinduara, dronë luftarakë dhe sisteme antidronë. Rama u shpreh se në 6 mujorin e parë të 2026 do shihen edhe produktet e para.
“Shqipëria vend prodhues i kapaciteteve ushtarake, por edhe të eksportojë kapacitete industriale ushtarake. Janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes Made in Albania. Do prodhojmë uniformat në vendin tonë dhe do ta bëjmë pikë referime për të prodhuar uniforma edhe për të tjerët.
Ushtria suedeze qep një pjesë të uniformave të veta në Shqipëri, por me një marrëveshje kontraktuale me një manifakturë private. Do prodhojmë mjete të blinduara, autoambulanca, do prodhojmë dronë luftarak dhe sistemet antidronë.
6 mujorin e parë të 2026 do shihen dhe produktet e para. Na akuzojnë për një kompani shtetërore që kemi ngritur për shtetin, e kemi ngritur që në çdo lloj qasje nga të huajt në Shqipëri, shteti ynë të marrë pjesën e vet, jo siç ndodhte më parë, por tenxheret zien. Kemi vënë në dispozicion fondin për të blerë dy avionët e parë zjarrfikës”, tha Rama.
“Rritje e pagave për mjekët” Rama: S’do të lejohet më parkimi brenda QSUT-së
Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e fundvitit me gazetarët se paga e mjekëve dhe e infermierëve do të rritet, madje do të njihet dhe vjetërsia e punës. Ai tha se në QSUT nuk do të lejohen më parkimet, përveç atyre spitalore.
“Paga për mjekët do të rritet 135 euro të tjera. Po kolaudohet godina tjetër e Mbretëresha Geraldinë. Është ndërtuar spitali i Kardiologjisë në QSUT. Është rindërtuar spitali i Peqinit. Të gjitha makinat nga territori i QSUT do të hiqen, do të bëhet park. Të gjitha automjetet, përveç atyre të punës, do të kenë vendin e tyre në këtë parkim të madh multifunksional të qendrës. Ka nisur rindërtimi i spitalit të plastikës. Ndërtimi i qendrës back-up në Vlorë. Ndërtimi i disa pavionëve.”, tha Rama.
Rama: Deri nga qershori çdo biznes në Shqipëri duhet të ofrojë pagesa elektronike
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës nga konferenca e fundvitit ka listuar arritjet e vitit 2025 nga qeveria ndërsa theksoi se falë bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara, Shqipëria ka arritur të prodhojë vetë pulla fiskale.
Ai gjithashtu shtoi se deri nga qershori i viti 2026 çdo biznes në Shqipëri duhet të ofrojë pagesa elektronike. Sipas tij bizneset që operojnë në turizëm dhe transport duhet të ofrojnë alternativa për qytetarët edhe për pagesa elektronike.
“Dua ta theksoj se edhe sipas vleresimit të SIPA-s, krahasur më vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria kondisderohet me shkrim jo me gojë vend lider në funskionimin e administratës publike në disa fusha specifike siç janë menaxhimi i financave publike, sherbimet publike dhe menaxhimi i burimeve njerezore.
Kjo është në kundër tendencës se çfarë zien 700 tenxheret politike dhe mediatike. Nuk besoj se sigma është një organizëm që ka lidhje me qeverinë apo PS-në.
Kemi krijuar shoqerinë Alb trace e cila është një risi në jetën e vendit falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara duke siguruar se Shqipëria për një kohët ë gjatë ka qenë e varur nga koncesione të vjetra te prodhojë pullat fiskale këtu në vend të markojë karburantet këtu ne vend dhe të ofrojë një serë produktesh të tjera nga shteti me një teknologji bashkohohere qe do të rrisin sigurinë dhe transparencën.
Kemi hapur një kapitull tjetër për ulur keshin në ndërveprimet ekonomike të vendit. Janë vendosur disa limite si fillim, dua ta theksoj se deri ne qeshor të vitit te ardhshëm cdo biznes që operon ne sektorin e turizmit dhe transportit duhet të garantojnë format alternative të pagesave për qytetarët, jo vetëm kesh por mjete per te bërë pagesa elektronike,” tha Rama.
Rama: Investime në arsim dhe reformë në shëndetësi
Kryeministri Edi Rama po mban konferencën e fundvitit, teksa ka theksuar qasjet e reja në teknologji dhe shëndetësi.
“Një qasje e re që imponohet nga koha dhe teknologjia. Ndërkohë në arsimin e lartë janë bërë investime që vazhdojnë, projekte dhe rindërtime të disa godinave.
Jemi gjithashtu në fazë të re për thellimin e reformës në shërbimin shëndetësor dhe përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit të spitaleve tona publike”, tha Rama.







