
Një kondom i rrallë, rreth 200-vjeçar dhe i dekoruar me art erotik, është bërë pjesë e koleksionit të përkohshëm të Rijksmuseum – Muzeut Kombëtar të Holandës – duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe mediave ndërkombëtare.
I prodhuar rreth vitit 1830, mendohet se kondomi është bërë nga apendiksi i deles dhe përmban një ilustrim erotik që përfshin një murgeshë dhe tre klerikë – një ironi e qartë ndaj moralit fetar të kohës. Muzeu thotë se ky objekt i rrallë “përfaqëson njëkohësisht anën lozonjare dhe serioze të shëndetit seksual”.
Ekspozita, e titulluar “Safe Sex?”, është e fokusuar tek puna seksuale në shekullin XIX dhe u hap të martën në Amsterdam. Kondomi mund të ketë qenë një suvenir nga një bordello, një praktikë jo e pazakontë në kohët viktoriane.
Përgjatë mbështjellësit të kondomit është shkruar në frëngjisht fraza “Ceci est mon choix” (“Kjo është zgjedhja ime”), një referencë ndaj pikturës së famshme të Pierre-Auguste Renoir, “Gjykimi i Parisit”, që trajton temën e zgjedhjes mes tre perëndeshave në mitologjinë greke.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të nëntorit, dhe është pjesë e përpjekjeve të muzeut për të eksploruar temat tabu të historisë njerëzore përmes artit dhe objekteve autentike.