Studimi i fundit i realizuar nga Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Grupin BALFIN, i paraqitur në emisionin e mëngjesit të Scan TV, evidenton ndikimin psikologjik dhe financiar të perceptimit të mungesës së produkteve tek konsumatorët.
Në emision ishin të ftuar Prof. Asoc. Dr. Mirdaim Axhami nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe Prof. Asoc. Dr. Aulona Ulqinaku, Departamenti i Marketingut në LIUC Carlo Cattaneo, Milano, të cilët ndanë detajet e studimit.
“Fokusi kryesor është se si bizneset duhet të komunikojnë në kushte mungese, për të mos ndikuar negativisht në mirëqenien psikologjike dhe financiare të konsumatorëve,” tha Axhami. Studimi analizoi sjelljen e konsumatorëve gjatë periudhave të mungesës, të nxitura kryesisht nga periudha e pandemisë dhe konflikti Rusi-Ukrainë.

Teknologjia inovative e “eye tracking” u përdor për herë të parë në Shqipëri, në bashkëpunim me rrjetet e supermarketeve të Grupit BALFIN, për të analizuar drejtimin e vëmendjes së konsumatorëve kur ata përballen me mungesën e produkteve esenciale dhe jo-esenciale.
Aulona Ulqinaku shpjegoi se kur mungon një produkt esencial si mielli ose vezët, konsumatori menjëherë kërkon alternativa të tjera. “Vëmendja e konsumatorit shkon menjëherë tek alternativat kur produkti është esencial, ndërsa për produktet jo-esenciale, ata mbeten besnikë ndaj markës së preferuar,” tha ajo.
Një tjetër konstatim i rëndësishëm i studimit është roli i mediave në thellimin e panikut të konsumatorëve përmes mungesës së transparencës ose ekzagjerimit të situatës reale. “Komunikimi i pamjaftueshëm ose i pasaktë nga media ndikon negativisht tek gjendja psikologjike dhe sjellja e konsumatorëve, duke çuar në blerje impulsive dhe krijim mbetjesh ushqimore,” theksoi Axhami.
Në bazë të studimit, ekspertët rekomandojnë që bizneset të komunikojnë në mënyrë transparente dhe të sigurojnë konsumatorin se situata është nën kontroll, duke ofruar zgjidhje dhe alternativa konkrete në momentet e mungesës reale të produkteve. Gjithashtu, ata kërkojnë që marketingu të shmangë krijimin artificial të perceptimit të mungesës, pasi kjo sjell pasoja negative në mirëqenien psikologjike dhe financiare të konsumatorit.
Studimi është një shembull i qartë i bashkëpunimit efektiv ndërmjet akademisë, institucioneve publike dhe biznesit, duke kontribuar në përmirësimin e praktikave të biznesit dhe mbrojtjen e konsumatorit në tregun shqiptar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu