Grupi BALFIN, përmes kompanisë së tij BALFIN Americas, po zgjeron më tej praninë në tregun e pasurive të paluajtshme në SHBA, pasi ka blerë, në partneritet me Crown Acquisitions, një nga ndërtesat më premium të zyrave në New Jersey, të njohur si “340 Mount Kemble”. Grupi BALFIN e çon në katër numrin total të investimeve në SHBA, ndërsa “340 Mount Kemble” shënon investimin e tij të parë në sektorin komercial.

“340 Mount Kemble” është një kompleks zyrash i klasit A, që akomodon disa prej institucioneve më të mëdha financiare ndërkombëtare. Me një sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 160,000 m², ndërtesa ofron 40,000 m² hapësirë zyrash dhe një gamë të gjerë shërbimesh moderne, përfshirë sallë konferencash, palestër, dhomë lojërash, sallë pritjeje, kafene me shërbim të plotë dhe mbi 1,600 vende parkimi.

Drejtori Ekzekutiv i BALFIN Americas, Martin Mane, thekson se “340 Mount Kemble” është një shembull i qartë i rritjes së pranisë së grupit në SHBA, duke e lidhur këtë zgjerim me besimin që BALFIN ka ndërtuar si partner, me eksperiencën dhe ekspertizën +30 vjecare.


“Ne po rrisim praninë tonë në një treg të karakterizuar nga kompleksiteti dhe dinamizmi i lartë, duke bashkëpunuar me një nga kompanitë më të mëdha amerikane, Crown Acquisitions. Ky hap na motivon të vazhdojmë konsolidimin e pozicionit tonë në fushën e zhvillimit të pasurive të paluajtshme dhe menaxhimit të aseteve në SHBA. Po ashtu, forcon besimin se standardet dhe kultura e qeverisjes së Grupit na mundësojnë të operojmë pa probleme dhe në mënyrë efikase, duke ruajtur partneritete të palëkunduara me kompanitë amerikane”, thotë Martin Mane.

Crown Acquisitions, e drejtuar nga Richard Chera, është një nga kompanitë më të njohura amerikane në industrinë e pasurive të paluajtshme në SHBA, me një portofol që përfshin pasuri ikonike si “Cartier Mansion” dhe “650 Madison Avenue” në New York. Bashkëpunimi mes BALFIN Americas dhe Crown Acquisitions synon ta transformojë “340 Mount Kemble” në një qendër të rëndësishme komerciale, të pasur me mundësi, si dhe në një mjedis modern të përshtatshëm për bizneset dhe komunitetin e punonjësve.

“340 Mount Kemble” pason investimet e mëparshme të Grupit në SHBA. Në New York, BALFIN Americas po zhvillon katër ndërtesa rezidenciale, të cilat, pas përfundimit, pritet t’i ofrojnë tregut një total prej 350 njësish banimi. Ndërtesa e parë pritet të përfundojë këtë pranverë.

Me një portofol projektesh rezidenciale, komerciale, turistike dhe mikse, të mesme dhe të mëdha, BALFIN është pozicionuar në industrinë e pasurive të paluajtshme si një investitor dhe zhvillues largpamës. Grupi BALFIN operon në këtë industri prej vitit 2000, me pikënisje në Shqipëri, për të vijuar më tej në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Austri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së fundmi në Kanada.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu