Në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, zhvilloi një debat të ashpër me zv/ministrin e Financave, Endrit Gjyzeiraj, lidhur me kompensimin e TVSH-së për bujqit që shesin prodhimet e tyre direkt në treg dhe jo përmes pikave grumbulluese.

Braçe akuzoi Ministrinë e Financave se, prej vitit 2018, ka mbajtur një qëndrim “refraktar” që sipas tij ka dëmtuar rëndë sektorin e bujqësisë, duke çuar në ulje të prodhimit për të katërtin vit radhazi.

Kush jeni ju që i thoni bujkut se nuk merr kompensim kur ai shet prodhimin e tij? Kush?” – u shpreh me tone të larta Braçe, duke theksuar se qeveria nuk mund të penalizojë fermerët që zgjedhin të shesin vetë në tregjet e qyteteve, si në Lushnjë, pa kaluar te grumbulluesit.

Ai u shpreh se praktika aktuale jo vetëm është e gabuar, por godet direkt ata që prodhojnë, ndërkohë që grumbulluesit përfitojnë:
Kush jeni ju që doni t’i zhdukni ata fare? Nuk dua ta çoj te një grumbullues, dua ta shes vetë në treg. Kush jeni ju që thoni ‘s’merr kompensim’?

Deputeti socialist shtoi se Ministria e Financave nuk po merr parasysh propozimet profesionale dhe po tenton – sipas tij – të ndryshojë strukturën e ekonomisë duke dobësuar sektorë të rëndësishëm si bujqësia.

Kushtetuta thotë se taksat i cakton Kuvendi, jo qeveria. Këtu nuk ka asnjë reflektim. Ky është problem i madh. Ky debat nuk mbyllet këtu. Do të shkojë në sallën e Kuvendit”, deklaroi Braçe.

Çështja pritet të ngrithet në një seancë plenare, duke hapur një tjetër front diskutimi mes shumicës dhe ekzekutivit për politikat fiskale ndaj bujqësisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu