
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar në lidhje me ndryshimin e pritshëm të funksionimit të Komisionit për Çështjet Evropiane në Kuvendin e Shqipërisë. Në një reagim për Euronews Albania, BE thekson rëndësinë kyçe që Parlamenti i Shqipërisë ka në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në avancimin e reformave të nevojshme për këtë qëllim.
“Parlamenti i Shqipërisë është një institucion kyç për çuarjen përpara të agjendës së reformave që lidhen me BE-në dhe konsolidimin e progresit të arritur deri tani në kontekstin e procesit të anëtarësimit,” thotë delegacioni në reagim.
Delegacioni i BE-së thekson pritshmërinë që integrimi në BE të vijojë të jetë një përparësi ndërpartiake, duke i dhënë një rëndësi të veçantë konsensusit politik.
“Në këtë drejtim, presim me padurim hapat konstituivë të parlamentit të ri, si dhe presim që integrimi në BE të mbetet një përparësi ndërpartiake për ligjvënësit në legjislaturën e re parlamentare,” thuhet në reagim.
Në përgjigje të pyetjes nëse ndryshimet e mundshme në drejtimin e Komisionit për Çështjet Evropiane, mund të përjashtojnë rolin e opozitës në procesin e integrimit, BE-ja nënvizon nevojën për bashkëpunim të të gjitha forcave politike./dosja.al