Lëvizja Vetëvendosje është dënuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me 3 mijë euro për shkak të gjuhës së përdorur nga kryeministri, Albin Kurti në tubimin e këtij subjekti politik në Pejë.
Sipas PZAP-së ankesa është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët kanë akuzuar Kurtin se ka shkelur kodin e mirësjelljes.
Ndërsa PZAP e ka konsideruar pjesërisht të bazuar ankesën e LDK-së duke dënuar LVV-në me 3 mijë euro të cilat duhet ti paguajë në një afat prej 15 ditësh.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur me 20 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, për shkak të një krahasimi të kryeministrit Albin Kurti me Adolf Hitlerin nga një prej kandidatëve të saj për deputet.
Kandidatja për deputete e LDK-së, Xheneta Syka, me anë të një videoje e ka krahasuar kryeministrin Kurti me ish-udhëheqësin nazist famëkeq, Adolf Hitler.
Vetëvendosje është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili të enjten vendosi që ta miratonte ankesën dhe ta gjobiste LDK-në me 20 mijë euro.
Sipas PZAP-së, me këtë rast është shkelur Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.
Në vendim thuhet se LDK-ja duhet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve pasi vendimi të bëhet i plotfuqishëm.