
Një raport i ri i Komisionit të Pavarur Hetimor të OKB-së për Territorin e Okupuar Palestinez ka arritur në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza.
Sipas raportit 72-faqësh, që konsiderohet si gjetja më e fortë e deritanishme nga një strukturë e OKB-së, ekzistojnë baza të arsyeshme për të konkluduar se katër nga pesë aktet e gjenocidit të përcaktuara nga Konventa e vitit 1948 janë kryer që prej nisjes së luftës me Hamasin në tetor 2023. Këto përfshijnë:
- vrasjen e anëtarëve të një grupi,
- shkaktimin e dëmeve serioze trupore e mendore,
- imponimin e kushteve që synojnë shkatërrimin e grupit,
- pengimin e lindjeve.
Raporti citon deklarata të udhëheqësve izraelitë, mes tyre presidenti Isaac Herzog, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, si prova të nxitjes dhe qëllimit gjenocidal.
Izraeli ka reaguar ashpër, duke e cilësuar raportin “të shtrembëruar dhe të rremë”, si dhe akuzoi ekspertët se veprojnë si “zëdhënës të Hamasit”. Zyrtarë ushtarakë izraelitë këmbëngulin se operacionet në Gaza kryhen në vetëmbrojtje dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Që prej 7 tetorit 2023, kur Hamasi ndërmori sulmin në jug të Izraelit duke lënë 1,200 të vrarë dhe qindra pengje, mbi 64,900 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Mbi 90% e banesave janë shkatërruar ose dëmtuar, ndërsa OKB paralajmëron për uri masive dhe kolaps total të sistemeve shëndetësore.
Komisioni thekson se shtetet e tjera kanë detyrimin ligjor të ndërhyjnë për të parandaluar dhe ndëshkuar gjenocidin, përndryshe rrezikojnë të konsiderohen bashkëfajtorë.







