
Komisioni Europian publikoi sot Paketën e Zgjerimit 2025, ku vlerëson progresin e vendeve kandidate në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në raportin për Shqipërinë, theksohet se vendi ka bërë “përparim të ndjeshëm” gjatë vitit të fundit, me hapjen e katër grupkapitujve dhe përgatitjet për hapjen e të fundit brenda këtij viti.
View this post on Instagram
Sipas Komisionit, Shqipëria ka avancuar ndjeshëm në reformat themelore, veçanërisht në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Dokumenti thekson se ruajtja e këtij ritmi reformash dhe dialogu politik gjithëpërfshirës janë thelbësorë për përmbushjen e objektivit të qeverisë shqiptare për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027.
“Shqipëria është në rrugën e duhur për të arritur objektivat e saj ambicioze, nëse ruan tempin aktual të reformave,” – nënvizohet në raport.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se zgjerimi mbetet prioritet i lartë për BE-në dhe një “premtim për paqe, stabilitet dhe prosperitet”. Ndërsa Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, përmendi Shqipërinë mes katër vendeve që kanë bërë më shumë progres gjatë 2025-s, së bashku me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë.
“Një Bashkim më i madh do të thotë një Europë më e fortë. Shqipëria ka avancuar me ritme të qëndrueshme në reformat e saj. Nëse ky standard ruhet, mbyllja e negociatave në vitet e ardhshme është plotësisht e arritshme,” – tha Kos.
Raporti përforcon se procesi i anëtarësimit mbetet i bazuar në meritë dhe se reformat në sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe të drejtat themelore do të jenë përcaktuese për ritmin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE-së.







