nga FATJON CUKA

Veglat muzikore tradicionale shqiptare ndër shekuj kanë shoqëruar ceremonitë e ndryshme familjare, ritet popullore, dasmat, festat tradicionale të shqiptarëve, si dhe janë bërë pjesë e pandarë e artit dhe kulturës.

yacht hotel sarande

Sot disa prej këtyre veglave karakteristike në mesin e shqiptarëve i përkasin historisë dhe nuk përdoren, ndërkohë, disa ende prodhohen nga artizanë shqiptarë dhe përdoren për qëllime artistike, përdorim vetjak apo edhe për ekspozime me fokus folklorin dhe traditën shqiptare.

Në Tiranë jeton një koleksionist i veçantë, Mark Luli, 68-vjeç, me profesion kompozitor, por edhe studiues i folklorit shqiptar dhe muzikolog, i cili ka në shtëpinë e tij koleksionin me vegla muzikore të traditës shqiptare, ku disa prej tyre janë qindra vjeçare.

Pjesë e koleksionit të tij unik dhe të shumëllojshëm janë 128 vegla muzikore origjinale, si briri, lahuta, fyell, bilbili, çiftelia, zumare, sharkia, gajde, dajre, daulle (tupan), lauri, ungar, curle, kungues zëri, boria, pipëza dhe të tjera, të cilat datojnë që nga periudha osmane e deri në ditët e sotme.

Veglat origjinale të koleksionit janë të punuara prej druri, metal tunxhi, lëkurë, kockë, kallam dhe brirë të bagëtive dhe janë të përdora nga shqiptarët gjatë shekujve, ku janë punuar dhe ruajtur fillimisht nga përdoruesit e tyre në zona të ndryshme.

Për Anadolu, Luli tregon se është marrë me koleksionimin e veglave muzikore në zonat ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët dhe ku është folur shqip, ku përveç Shqipërisë ai ka mbledhur instrumentet edhe në shtete të tjera. Në studion e tij të punës ai rrethohet nga këto instrumente të veçanta.

Pasioni për t’i koleksionuar i ka lindur që në fëmijëri kur shikonte familjarë të tij që luanin me disa prej tyre, ndërkohë ai tregon se pjesën më të madhe i ka blerë, por ka edhe të dhuruara në zonat që ka vizituar.

“Kam mbi 40 vjet që i kam mbledhur, kam filluar t’i grumbulloj në të gjithë zonat ku flitet shqip. Në të gjithë fshatrat e Shqipërisë kam shkuar, mund të ketë fshat që kam shkuar mbi 10 herë. Përveç këtyre (fshatrat e Shqipërisë), në Malin e Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut, deri në Patra, Prevezë dhe Janinë”, shprehet Luli.

Luli thekson se koleksioni i tij është muzeu më i kompletuar dhe më i madh në Ballkan i këtij lloji, pasi sipas tij janë të gjithë familjet (grupet) e veglave muzikore.

“Numri ekzakt është 128 instrumente. Këtu nuk mungon asnjë instrument që është përdorur ku është folur gjuha shqipe. Të gjithë këto instrumente ndahen në katër familje ose katër grupe: janë aerofone, membranofone, idiofone dhe kordofone”, tha ai.

Më të vjetrin të koleksionit të tij, Luli quan bririn mbi 400-vjecar, që sipas tij vjetërsia e instrumentit është përcaktuar nga studiues të huaj.

“Unë instrumentin më të vjetër do të quaj bririn. Ky është gjetur para shumë vitesh në një derdhje të Lumit të Matit (Shqipëri). Studiuesit austriakë e vendosën që ky ka mbi 400 vjet që është përdorur. Ky vlerësim mbi moshën e birit është bërë para 20 vitesh. Ky (briri) ka pas kodin, i bihej me kod, kur lind djalë, kur do të tregosh që kam nevojë, kur është mbytur fshati nga ujë dhe kur është djegur fshati”, tregon ai.

Një tjetër instrument të veçantë Luli tregon një lahutë, që sipas tij është 300-vjeçare, e cila edhe sot është funksionale, ndërsa ai prodhon tingujt e veçantë të kësaj vegle muzikore të lashtë. “Është lahuta e Malësisë së Madhe. Stërgjyshërit tanë ia dhuronin në pajë nuses ose djalit. Është shumë instrument i veçantë. Kjo është krenaria e veriut”, thekson Luli.

Ai tregon se pjesë e koleksionit të tij është edhe çiftelia e parë e ndërtuar në Shqipëri në modelin që njohim sot, që e konsideron si çiftelinë më të vjetër të koleksionit të tij, por edhe më të vjetër në Shqipëri që është ruajtur.

“Është instrumenti më i vjetër në Shqipëri në këtë llojin e vet. Është instrument i ndërtuar në Shkodër, në (vitin) 1840 i përfunduar. Është çiftelia më e vjetër në Shqipëri, jo vetëm e koleksionit tim, por çfarë kam parë unë në të gjithë Shqipërinë. Është instrument i përkryer. Këtë ma ka dhuruar një profesor i Akademisë së Arteve në Shqipëri”, tregon ai, teksa edhe luan me këtë instrument të vjetër të traditës shqiptare.

Pjesën më të madhe të veglave muzikore Luli thekson se i ka blerë, me pasionin për të krijuar koleksionin e tij. “Pasioni të bën të gërmosh, të eksplorosh dhe të studiosh. Zakonisht veriu (zonat e veriut) ka shumë pasuri, ka instrumente shumë. Veriu ka gajden, lodrën, ka curle, fyellin, bilbilin, çiftelinë, sharkinë, zumare. Jugu ka më pak instrumente, polifonia është tjetër art, por jugu ka fyellin, curle dyjare dhe dajren”, shprehet ndër të tjera Luli.

Koleksionisti i veglave muzikore tradicionale shprehet se të gjithë instrumentet që kanë nevojë për mirëmbajtje i restauron vetë me elementë origjinalë, ndërkohë ai në karrierën e tij artistike dhe si koleksionist është marrë edhe botime dhe studime rreth veglave muzikore tradicionale shqiptare, duke u kujdesuar për përshkrimin, origjinën, karakteristikat dhe vjetërinë e tyre.

Në karrierën e tij si kompozitor dhe muzikolog, Luli ka punuar edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë dhe në Akademinë e Arteve të Shqipërisë dhe tingujt e këtyre instrumenteve të rralla të koleksionit të tij, ai i ka përdorur në muzikë filmi, kolona zanore, në festivale dhe në aktivitete të ndryshme.

Ai në fund shprehet se do ta vazhdojë këtë pasion dhe të koleksionojë akoma veglat muzikore shqiptare. Gjithashtu Luli thekson se do të dëshironte që koleksioni i tij në të ardhmen të bëhet pjesë e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, që të jetë një koleksion i hapur për nxënës, studentë, si dhe vizitorët vendas dhe të huaj./Anadolu ajansi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu