Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar këtë të enjte, 4 shtator, ankimimin e Partisë Demokratike për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

Si instanca më e lartë, vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, që nxori fituese PS me 83 mandate, u shoqërua me një proces të gjatë ankimimesh, duke vonuar për 4 muaj certifikimin përfundimtar të rezultatit. Madje, në disa prej qarqeve votat edhe u rinumëruan, por pa asnjë rezultat në favor të opozitës.

Partia Demokratike e dorëzoi ankimimin e saj në datë 1 shtator. Në kërkesën e saj pretendohej se gjatë zgjedhjeve janë vënë re fenomene të shpërdorimit të burimeve publike, intimidim të votuesve, patronazhim politik dhe ndërhyrje të grupeve kriminale në qarqet Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë e Dibër.

Sipas PD-së, rezultati i zgjedhjeve nuk ishte legjitim, pasi procesi i 11 majit nuk i ka përmbushur standardet kushtetuese e ligjore; procesi nuk ka qenë i lirë dhe i ndershëm dhe, për pasojë, nuk mund të prodhojë asnjë rezultat legjitim.

Tashmë pritet që Presidenti i Republikës të nxjerrë dekretin për të caktuar datën se kur do të nisë punën Kuvendi i ri, që me gjasë do të jetë 12 shtatori./klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu