Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka shprehur kundërshtinë e tij ndaj propozimeve për ashpërsimin e Kodit të ri Penal, duke theksuar se legjislacioni aktual është mjaftueshëm i rreptë dhe në përputhje me standardet evropiane.

 

Sipas tij, shtimi i dënimeve dhe kriminalizimi i masave administrative nuk janë qasje efektive për një shoqëri demokratike. Ai nënvizoi se përpara se të mendohet për burgun, duhet të forcohen mekanizmat parandalues dhe socialë.

Çela shtoi se çdo tendencë për të rritur ndëshkimet tregon një drejtim të kundërt me parimet e humanizmit, të cilat qëndrojnë në themel të Bashkimit Evropian dhe duhet të udhëheqin edhe reformimin e sistemit penal shqiptar.

“Në momentin që shkojmë drejt ashpërsimit të dënimeve, po largohemi nga parimet e humanizmit. Humanizmi është thelbi i qasjes që duhet të ketë kodi penal. Shtimi i ndëshkimeve dhe kriminalizimi i veprimeve administrative nuk i bëjnë mirë shoqërisë – përkundrazi, e përkeqësojnë,” theksoi Kryeprokurori i Përgjithshëm.

Olsian Çela: Është një çështje komplekse. Unë kam një opinion të fortë, e kam theksuar se kodi që kemi është mjaftueshëm i ashpër. Në disa propozimi që na është dashur të japim, ne jemi shprehur për mungesën e domosdoshmërisë së dënimeve që janë mjaftueshëm të ashpra në nivelin evropian. Nuk mund të jetë burgu zgjidhja e vetëm e problemeve të shoqërisë. Para se të shkojmë te burgu duhet të vihen edhe mekanizma të tjerë që e bëjnë shoqërinë më humane. Në momentin që kemi shkuar tek ashpërsimi i dënimeve do të thotë se jemi duke ecur në drejtim të kundërt me parimet e humanizmit. BE është në radhë të parë parimi i humanizmit. Ne duhet të shkojmë drejt asaj. Humanizmi është thelbi, qasja që duhet të kishte kodi penal. Fakti që ne shtojmë, ndëshkojmë më shumë, masat administrative i bëjmë krime, apo edhe ashpërsojmë sanksionet nuk mendoj se është qasja e duhur dhe i bën mirë shoqërisë. Ajo agravon më shumë problemet që ka shoqëria.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu