Ministria e Drejtësisë ka prezantuar sot, 25 korrik, draftin e ri të Kodit Penal, i cili do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik.

Gjatë fjalës së tij, ministri Ulsi Manja theksoi se ky draft nuk është produkt i qeverisë apo i Ministrisë, por i një grupi të pavarur ekspertësh të njohur të fushës, i ngritur në shkurt të vitit 2023 nën drejtimin e Shkollës së Magjistraturës.

“Ky nuk është një produkt i qeverisë apo i Ministrisë së Drejtësisë. Ne kemi pasur dhe do të kemi deri në fund vetëm një rol organizues dhe mbështetës. Autorësia dhe përmbajtja teknike i përkasin plotësisht grupit të punës”, tha Manja.

Manja theksoi se kodi aktual penal nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, ndaj riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i pashmangshëm.

Ai sqaroi se ky draft i ri është i hapur për diskutim dhe se nuk do të jetë përfundimtar pa kaluar më parë nëpër filtrin e konsultimeve. Ministri bëri një ftesë të drejtpërdrejtë për përfshirje në këtë proces.

“Dua të ftoj profesionistët e ligjit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, institucionet e drejtësisë, Avokatin e Popullit dhe një ftesë të veçantë për opozitën parlamentare, opozitën e vendit tim, që të kontribuojnë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit.”

Manja theksoi edhe rëndësinë e këtij drafti, në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Në BE shkon Shqipëria, jo vetëm një forcë politike. Mund të ndërtojmë një Kod Penal modern, efektiv dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.”

Siç deklaroi edhe Manja, me përfundimin e konsultimit dhe marrjes së certifikimit në Bruksel, drafti i ri do të kalojë për miratim në Kuvend, me shumicë të cilësuar.

Risitë Kryesore në Draftin e Kodit të Ri Penal

Drejtësia restauruese:

-Dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës

-Ridimensionim tërësor i sistemit të dënimit penal, duke vendosur kritere objektive për caktimin e dënimit nga gjykata duke shmangur arbitraritetin dhe zbatimin preferencial të ligjit penal

-Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese

-Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës

Kriminalizimi i veprave të reja

-Terrorizmi kibernetik, trafiku i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit etj

-Trafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe ndërhyrja në numërtimin e tyre

-Veprat penale në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit

-Ofrimi i ushqimit të pasigurtë, mashtrimi me produktet ushqimore, paraqitja e rremë të produktit ushqimor

-Punësimin e paligjshëm të shtetasve të huaj apo pa shtetësi

-Falsifikimi i mjeteve të pagesës cash dhe jo cash, mjeteve matëse, numrave të mjeteve motorike

-Pengimi i drejtësisë, keqdrejtimi i organeve procedurës për autorin e krimit, ndikimi me dhunë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, përdorimi i dhunës gjatë hetimeve, ndikimi me pavarësinë e gjykatës, konflikti i interesit të avokatit dhe mosparaqitja në seancë, dhënia e një vendimi me keqbesim

-Vrasja me përçmim të viktimës, shkaktim i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit, porosia për të kryer vrasje

Masat edukative për të miturit

-Rikonceptim i trajtimit të të miturve; Sigurojnë/garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit;

-Llojet: këshillimi; mbikëqyrja e veçantë nga prindi, prindi birësues ose kujdestari, mbikëqyrja në përkujdesje alternative dhe vendosja në një institucion të përkujdesjes edukativo-korrigjuese;
-Në caktimin e tyre merren parasysh një sërë faktorësh dhe Masa më e rëndë edukuese – aplikohet si alternativë e fundit;

-Një rol qendror i jepet Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, strukturave përkatëse të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor apo çdo organi tjetër kompetent;

-Së bashku me masat gjykata mund të cakton një/disa detyrime të veçanta ndaj të miturit, kur kjo është e domosdoshme për arritjen e qëllimit të masës, si kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, ndjekja e rregullt e procesit arsimor, të mos frekuentojë vende të caktuara, të mos kontaktojë persona të caktura etj. /tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu