
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka përgënjeshtruar raportimet se monopatinat mund të rikthehen në rrugët e vendit, duke theksuar se ndalimi i qarkullimit të tyre mbetet në fuqi.
“E pavërtetë! Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi,” deklaroi Koçiu.
Ajo vlerësoi bashkëpunimin e qytetarëve, duke theksuar se respektimi i masës ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë rrugore, veçanërisht për të rinjtë.
Sipas ministres, të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës tregojnë një rënie të ndjeshme të aksidenteve të lidhura me përdorimin e monopatinave gjatë periudhës së zbatimit të rregullores së re.
Megjithatë, Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon monitorimin e situatës për të përcaktuar çdo hap të ardhshëm, duke vendosur në qendër sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Vendimi për ndalimin e monopatinave ishte marrë pasi statistikat i identifikonin këto mjete si burim të shpeshtë aksidentesh në rrugët e qyteteve.



