Koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës Social-Demokrate dhe subjekteve politike të komuniteteve joserbe po shihet si skenari më i mundshëm për formimin e Qeverisë. Megjithatë sipas njohësve të çështjeve politike, koalicioni në mes të këtyre subjekteve politike do ta krijojë një shumicë të brishtë dhe do ta ketë të vështirë për t’i çuar përpara ligjet në Kuvend
Njohësit e zhvillimeve politike e shohin si skenar më të mundshëm për formimin e Qeverisë koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje, subjekteve politike të komuniteteve jo-shumicë me përjashtim të deputetëve të Listës Serbe, si dhe të deputetëve të NISMËS Socialdemokrate.

Duke parë refuzimin e partive të tjera për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen, politologu Seb Bytyqi, thotë se skenari më i mundshëm është ai i formimit së qeverisë në këtë formë, por që do të ishte Qeveri e pakicës.

“Përmes koalicioneve të ndryshme ose përmes ajo që quhet qeveri e pakicës, pra nëse votohet qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje, pastaj partitë tjera nuk futen në koalicion, thjesht e votojnë në mënyrë që të funksionojë qeveria, por dihet që pastaj kjo qeveri do të kishte probleme për aprovimin e ligjeve. Mirëpo, numrat ekzistojnë që ka permutacione të ndryshme që të bëhet një koalicion të paktën 61 deputetë, e kemi shembull Nisma me 3 deputetë që mund ta çoj numrin deri në 61, e kemi AAK por edhe partitë tjera”, ka thënë Mytyqi.

LVV-ja i ka fituar 48 ulëse e për ta formuar Qeverinë i duhen edhe të paktën 13 vota.

E njohësi i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu, thotë se edhe më herët ka ndodhur kur partitë kanë tërhequr deputetë nga njëra-tjetra.

Baraliu, derisa shpreh dilema për pjesëmarrjen e deputetin goran Adem Hoxha që ka qenë vazhdimisht në grupin parlamentar të Listës Serbe, thotë se partitë e komuniteteve kanë interes të jenë pjesë e Qeverisë.

Megjithatë, ai thotë se shumica parlamentare prej pak përmbi 60 deputetësh nënkupton shumicë të brishtë për t’i shtyrë përpara ligjet që miratohen në Kuvend.

“Nuk është qeverisje stabile. Me siguri që kjo teorikisht dhe praktikisht mund të jetë në rrethana në të cilat jemi një qeverisje e pakicës gjithsesi që është dhe mund të jetë fragjile. Mund të jetë e paqëndrueshme, mund të jetë labile në kuptimin e numrave – kur dikush tërhiqet dhe nuk i ka 61 deputetë për të çuar më tutje agjendën e Kuvendit”, ka deklaruar Baraliu.

Ai thotë se edhe opozita me qëllim që të mos e çojë përsëri vendin në zgjedhje, ka gjasa që t’i sigurojë votat për ta votuar qeverinë e pakicës, në këtë rast të udhëhequr nga VV-ja.

Lideri i Nismës që në këtë mandat do të jetë deputet, Fatmir Limaj, partia e të cilit ka fituar tri ulëse në Kuvend, e ka lënë të hapur mundësinë që të bashkëpunojë me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë së re./Koha

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu