
Një ditë pas deklaratës së ministres së Brendshme, Albana Koçiu, e cila tha se sipas ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka publikuar shkresat zyrtare që i ka përcjellë pikërisht Policisë së Shtetit dhe ministrisë, ku i kanë kërkuar forca policore të shtuara.
Në reagimin e ashpër kundër policisë, KLGJ ka bërë të ditur edhe një vendim të qeverisë të vitit 2010, në kohën kur ekzekutivi drejtohej nga Sali Berisha.
Këshilli i Ministrave në atë kohë vendosi që të gjitha gjykatat në vend të ruhen me forca policie për të garantuar rendin dhe qetësinë brenda sallave të gjyqit.
Ndërkohë, pas ndryshimeve të këtij vendimi, KLGJ ngriti alarmin për mungesën e sigurisë në gjykata, dhe në vitin 2023 i dërgoi një shkresë zyrtare Policisë, ku shprehej se vendosja e vetëm një polici në derën e jashtme të gjykatës nuk shërben për asgjë.
“Nisur nga informacioni i ardhur nga gjykatat, Këshilli i Lartë Gjyqësor informon se në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës, i cili aktualisht qëndron në një prej hyrjeve të gjykatës, asaj ku hyn dhe del publiku dhe palët në procese. Ky punonjës nuk ofron asnjë shërbim në ambientet e brendshme të gjykatës dhe aq më pak në sallat ku zhvillohen proceset gjyqësore”.
Ndërkohë, përgjigjja e Policisë së Shtetit ishte e prerë: nuk kemi policë për t’ju ruajtur.
“Aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor për sigurimin e këtyre objekteve.”
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit nxori në pah dështimin e masave të sigurisë në këto godina, kjo për faktin se pajisjet sinjalizuese, edhe pse punonin, asnjë nga rojet nuk i dha rëndësi, ndërkohë që autori i dyshuar u fut brenda me pistoletë.
/vizionplus.tv