
Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, u shfaq shumë i kënaqur pas fitores 4-2 ndaj Jordanisë, duke vlerësuar jo vetëm rezultatin, por edhe debutuesit dhe alternativat e reja në skuadër. Ai e cilësoi këtë ndeshje si “një ditë speciale” dhe theksoi se konkurrenca në kombëtare po rritet ndjeshëm.
“Sot është një ditë speciale, për rezultatin dhe djemtë. Por edhe për Hysjan, sepse është një rekord i rëndësishëm për vendin dhe federatën. Ai na jep gjithmonë gjithçka, po bën një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe komplimente atij dhe familjes së tij”, tha trajneri.
Silvinjo foli me entuziazëm për lojtarët e rinj:
“Dajsinani bëri shumë mirë, më pëlqeu edhe Klisman. Gripshi në ekipin e tij bën diçka ndryshe, teknikisht është shumë i rëndësishëm. Sot provuam edhe Bajramin djathtas, pamë gjëra interesante.”
Trajneri pranoi se zgjedhjet për listën janë gjithmonë të vështira, por pozitive:
“Kjo është një dhimbje koke e mirë për një trajner. E kam thënë që Kombëtarja është e hapur. Ndjekim Gripshin, Klisman e të tjerë. Kemi një listë me 10 lojtarë që i monitorojmë. Sa më shumë ‘dhimbje koke’, aq më mirë – është shenjë e mirë!”
Për Arbër Hoxhën
“Hoxha po bën shumë mirë me skuadrën e tij. Kishte një dëmtim të lehtë, por erdhi, nuk humbi asnjë stërvitje. Me Serbinë hyri mirë, sot bëri një ndeshje të kompletuar. Krenar për të, po rritet, po shënon, jam shumë i lumtur.”
Për Mihajn
“Mihaj ka dy vite me ne, njeh konceptet, bëri Europianin. Nuk është test, është mundësi. Nuk hedh 11 të rinj bashkë, ndaj bëj 4-5-6 zëvendësime. Ai është i sigurt, inteligjent dhe bëri ndeshje të mirë.”
Pse nuk thirri Arbër Mehmetin?
Edhe pse Silvinjo nuk e përmendi drejtpërdrejt në këtë pjesë, ai e ka theksuar më herët se zgjedhjet bëhen sipas nevojave taktike dhe formës aktuale. Lista është e hapur, por çdo lojtar duhet të bindë me minuta, ritëm dhe përshtatshmëri me stilin e ekipit.
Mesazh i qartë: Kombëtarja është e hapur, konkurrenca po rritet dhe çdo lojtar që bind, do të marrë shansin e tij.
Silvinjo: “Jam i lumtur për të gjithë. Sa më shumë zgjedhje të kem… aq më mirë!”