
Një 37-vjeçar me iniciale A. L., është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi kishte përshtatur lokalin e tij në zonën e Kombinatit për të organizuar lojëra fati.
Gjithashtu në biznesin e tij, ai kishte punësuar ilegalisht dhe nj 15-vjeçar si kamarier, i cili vendoste bastet sportive për llogari të pronarit të subjektit. I mituri po hetohet në gjendje të lirë.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “The game”.
Kishte punësuar ilegalisht, në lokalin e tij në “Kombinat”, një të mitur, si kamerier dhe organizues të lojërave të fatit, arrestohet 37-vjeçari.
Vihet në hetim i mituri.
Sekuestrohen 2 celularë dhe 1 kompjuter, nëpërmjet të cilëve luheshin lojërat.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se një shtetas kishte përshtatur lokalin e tij, në “Kombinat”, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “The game”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 37 vjeç, banues në Tiranë, dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 15-vjeçar.
Nga verifikimet rezultoi se i mituri ishte punësuar ilegalisht, si kamerier, në lokalin në pronësi të shtetasit A. L.. Gjithashtu, i mituri vinte baste sportive dhe organizonte lojëra fati të tjera, për llogari të pronarit të subjektit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./ shqiptarja







